Biznesi tkurr investimet

09/09/2013 00:00

Banka e Shqipërisë thotë se kredia për ekonominë po bie ngaqë bizneset kanë ndërprerë investimet e reja në ekonomi.

Në një analizë të publikuar nga ekspertët e Bankës Qendrore thuhet se sipas raportimeve të bankave, arsyet kryesore pas rënies së kërkesës për kredi janë ngadalësimi i përgjithshëm i ekonomisë dhe veçanërisht rënia e nivelit të investimeve të reja.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në korrik, kredia në valutë për sektorin privat ishte 14 miliardë lekë më e ulët se një vit më parë ose mbi 4 për qind. Dokumenti i Bankës thotë se aktualisht bizneset shqiptare marrin kredi vetëm për kapital qarkullues, të cilin e përdorin për të mbuluar shpenzimet e përditshme, ndërsa kërkesa për financimin e investimeve është në rënie të vazhdueshme që nga fundi i viti 2008.

Historikisht pjesa dërrmuese e investimeve të biznesit është financuar nga kredia në valutë, pasi normat e interesit janë më të ulëta se kredia në lekë. Por ngadalësimi i fortë i ekonomisë, veçanërisht që nga viti i kaluar duket se po i frenon bizneset të kryejnë investime të reja. Tkurrja e investimeve nga privatët zbeh shpresat për rikthimin e ekonomisë në ritme më të shpejta rritje dhe krijimin e vendeve të reja të punës. 

Sektori privat përbën pjesën dërrmuese prodhimit kombëtar, mbi 75 për qind dhe ecuria e tij është përcaktuese për rritjen ekonomike. Tre vitet e fundit Qeveria u përpoq ta kompesonte rënien e kërkesës nga privatët përmes rritjes së shpenzimeve publike. Por kjo solli rritjen e borxhit deri në 64 për qind, pa mundur të shmang ngadalësimin e ekonomisë në ritmet më të ulëta të 15 viteve të fundit.      

Top Channel