Siri, shkatërrimi i trashëgimisë

08/09/2013 19:50

Konflikti më shumë se dy-vjeçar në Siri ka pasoja jashtëzakonisht të mëdha për vendin, qoftë për sa i takon jetëve të humbura njerëzore, qoftë dëmeve materiale.

Debatin mbi situatën në vend e mbizotëron pasiguria, që rrethon ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare, dhe padyshim bilanci i vdekjeve, i cili i lë në hije humbjet materiale.

Por, është edhe një tjetër humbje, që konsiderohet tepër e madhe, jo vetëm për Sirinë, por edhe për njerëzimin: shkatërrimi i trashëgimisë së pasur kulturore të vendit.

Shefja e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokovo, deklaroi se vëmendja për këtë aspekt të konfliktit nuk nënkupton lënien në harresë të tragjedisë njerëzore.

“Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore është pjesë e katastrofës humanitare në Siri”, theksoi ajo.

Lufta civile në Siri ka dëmtuar rrënonjat e lashta të saj. Ndërtesat historike u shkatërruan, sidomos në qytete të tilla si Aleppo dhe Homs. Soukut, pazarit më të madh në Lindjen e Mesme, me një sipërfaqe prej 350 hektarësh, iu vu zjarri vitin e kaluar.

Aleppo i vjetër është një nga 6 qytetet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Siri. Në listën e organizatës së OKB-së janë edhe pjesët e vjetra të qytetit të Damaskut dhe Bosra-s, fshatrat e lashta në veri të Sirisë, kështjella e “Crac des Chevaliers”, që nga koha e kryqëzatave, kalaja e Qal’at Salah El-Din, si dhe rrënojat në oazin Palmira.

Të gjitha këto vende janë prekur nga lufta civile dhe, kohët e fundit, UNESCO i ka vendosur në listën e vendeve të rrezikuara të trashëgimisë botërore.

Humbje të tjera po shkaktohen për shkak të vjedhjeve në muze. Objekte të rëndësishme historike janë vjedhur e grabitur në 6 prej tyre, por, fatmirësisht, është ndërhyrë në kohë, që rreth 77.000 objekte nga muzetë arkeologjikë të vendit të dërgoheshin në vende të sigurta.

Top Channel