Rritet kredimarrja informale

07/09/2013 00:00

Refuzimi i bankave për të kredituar ekonominë, po rikthen një fenomen jo
dhe aq të panjohur në Shqipëri, atë të huamarrjes informale.

Sotiraq Dhamo, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë dhe prej vitesh konsulent i grupimeve më të mëdha të biznesit, thotë se në kohë krizash borxhi informal mund të duket joshës.

“Eshtë lubrifikant, në kuptimin për kredimarrjen, për sa kohë sistemi i kredimarrjes zyrtar nuk funksionon plotësisht, për arsye të ndryshme. Eshtë shumë i lehtë, është i drejtpërdrejtë nuk ka formalitete, është i shpejtë, e merr shumën që do, kur do dhe sa do”, thotë Dhamo.

Por Dhamo paralajmëron se nëse nuk mbikëqyret dhe rritet masivisht, ky fenomen mund të dalë jashtë kontrollit duke kërcënuar me kosto të larta, jo vetëm për ekonominë.

“Sidomos në kushtet e mungesës së kontrollit shtetëror, siç është situata aktuale e Shqipërisë, ky fenomen nuk mund të kontrollohet dhe do të shndërrohet në një problem jo vetëm ekonomik, por edhe social, sepse njerëzit kur nuk i zgjidhin dot problemet ligjërisht, do t’i zgjidhin me kanun”, thotë Dhamo.

Olti Rrumbullaku, pedagog në fushën e financës thotë se borxhi informal gjithmonë ka rreziqe më të larta se sa kreditë e marra në rrugë zyrtare.

“Huaja informale, problemin kryesor e ka në faktin që është totalisht personale, është totalisht e pavlerësuar, e pastudiuar dhe për këtë arsye ka një rrisk të madh financiar, ka interesa shumë të larta që nuk i përgjigjen rezultatet që mund të sjellë biznesi. Biznesi ka rezultate shumë të ulëta, për të mos thënë që mund të jetë me humbje dhe shkon i drejtohet fondeve që mund të kenë kërkesa shumë të larta për interesa dhe për rezultate”, thotë Rrumbullaku.

Në fund të vitit të kaluar, një anketë e Bankës Qendrore gjeti se mbi 18 për qind e familjeve shqiptare kanë një kredi të marrë në rrugë informale. Ekspertët vërejnë se fenomeni ka prekur edhe shumë biznese, të cilat në pamundësi për të gjetur financime në banka po i drejtohen tregut hije të financave, atë që lulëzon jashtë kuadrit ligjor, veçanërisht në kohë krizash.  

Top Channel