Për herë të parë Kampionati Botëror i Xhudos fitohet nga një sportiste kosovare.

22-vjeçarja nga Peja, Majlinda Kelmendi, shkroi historinë e sportit shqiptar, ku më 27 gusht të këtij viti, nën himnin shqiptar, u shpall kampione Bote në xhudo për peshën 52 kg duke mundur brazilianen Erika Miranda. Vetëm një ditë pasi u prit si triumfatore në vendin e saj të lindjes, kampionia Kelmendi, e shoqëruar dhe nga trajneri i saj Driton Kuka, i cili e çoi drejt fitores historike, ishin të ftuar në emisionin “Pasdite në Top Channel”, ku rrëfyen ekskluzivisht eksperiencën e paharrueshme të Rio de Zhaneiros.  

Fitorja e Majlinda Kelmendit nuk ishte i vetmi lajm pozitiv për sportin shqiptar. Djemtë e ekipit të futbollit të Kukësit, i cili shënoi rezultate të shkëlqyera në Europa League, pavarësisht skualifikimit, treguan në emisionin “Pasdite në Top Channel” se përvec suksesit si futbollistë, shumica e tyre janë edhe bashkëshortë dhe prindër shembullorë. Igli Allmuça, Julian Brahja dhe Enkel Alikaj ishin tre prej pjesëtarëve të ekipit që përveç futbollit folën edhe për jetën e tyre familjare.

Një ndër filmat më të preferuar shqiptarë “Tomka dhe shokët e tij” pritet të restaurohet së shpejti nga Arkivi Qendror Shtetëror. Kjo jo për shkak të rrezikimit të tij nga degradimi, por sepse filmi parashikohet të shfaqet për një publik ndërkombëtar. Aktualisht vazhdon restaurimi i filmit “Nëntori i dytë”, ndërsa janë ende në proces pritjeje filmat aq të dashur për publikun shqiptar si “Kapedani” dhe “Ngadhënjim mbi vdekjen”. Një numër i madh i filmave shqiptarë ruhen në magazinë në kushte jo të përshtatshme, çka rrezikon seriozisht ekzistencën e tyre.

Ai që ju jep çdo informacion që t’i kërkoni vetëm me një klikim mbush plot 15 vjet. Projekti për motorin më të madh të kërkimit “Google” u konsiderua si një ndër shpikjet më të rëndësishme teknologjike të dy dhjetëvjeçarëve të fundit dhe u publikua për herë të parë më 4 shtator 1998, krijuar nga Larry Page dhe Sergey Brin. Zbulimi i Google erdhi në kohën kur Yahoo ishte ueb-sajti më i përdorur në Botë. Tashmë, shërbimet Google Maps, Google Street View dhe Google Earth janë aplikacionet më të përdorura në Botë.  

Top Channel