Vrasja e ndërtuesit, dyshime për urdhër nga Italia

04/09/2013 00:00

Edhe pse prej 24 orësh, policia ka shoqëruar mbi 50 persona, ka marrë
dhjetëra dëshmi, ende nuk ka ndonjë emër konkret për ekzekutimet mafioze
që ndodhën dy ditë më parë në Durrës dhe në Bulqizë, ku motive të tyre
dyshohet se janë trafiku i drogës dhe lufta për kromin.

Nga ana tjetër, po dy ditë më parë, një shqiptar u vra në Itali, po për larje hesapesh, por policia e vendit fqinj ka arrestuar dy vëllezër, si të dyshuar për këtë krim mafioz.

Ndërtuesi

Sa u përket hetimeve për vrasjen e biznesmenit të ndërtimit, Plaurent Cani, burime nga Policia e Durrësit bënë të ditur se nga tërësia e veprimeve ka rezultuar se ai përndiqej nga një grup kriminal dhe se vrasja mund të jetë kryer me porosi nga jashtë Shqipërisë. Sipas informacioneve të grupit hetimor, biznesmeni i ndërtimit mund të jetë viktimë e ndonjë tradhtie të kryer prej tij ndaj grupit ku ka qenë i përfshirë. Ekspertët e grupit hetimor për vrasjen e Plaurent Canit kanë informacione se 40-vjeçari përndiqej prej një grupi kriminal. Me këtë, ata besojnë se Cani ose ishte peng i ndonjë shume të pashlyer te trafikantët e drogës, ose mund të ketë bashkëpunuar me policinë italiane, duke nxjerrë emra të rrjetit kriminal. Nisur nga kjo, policia dyshon që për ndërtuesin durrsak, vrasësi është porositur që përtej kufirit. Ka të dhëna se autori qëndron jashtë Shqipërisë dhe ka mbërritur këtu posaçërisht për të ekzekutuar Canin. Policia e Durrësit ka marrë në pyetje rreth 40 persona, por në asnjë prej tyre nuk është ngritur dyshimi i vrasjes. Babai i tre fëmijëve u vra paraditen e së hënës, duke pirë kafe me shoferin e tij, në lokalin pranë objektit që po ndërtonte. Plaurent Cani është ndaluar në Itali në vitin 2006, si pjesë e një organizate kriminale të përbërë nga 10 shqiptarë. Në atë kohë, ai u dënua nga drejtësia italiane me 14 vite burg, por që më pas është lënë i lirë pas apelimit të vendimit për mungesë provash, duke mos vuajtur dënimin.

Kromi

Ndërsa për vrasjen e biznesmenit të kromit, policia tha se ka shoqëruar më shumë se 15 persona, ku disa prej tyre kanë biznese kromi në Bulqizë, por ende nuk ka një autor për ta arrestuar. I njohur ndryshe edhe si një nga të fortët e kësaj zone, Qerim Marku u vra pranë një servisi, në dalje të qytetit, sapo kishte zbritur nga mjeti i tij. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur rëndë edhe një kalimtar i rastit, Sami Smeli, por që dje, burimet nga spitali thanë se është jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, viktima ka pasur edhe një përplasje me armë në muajin shkurt të këtij viti, dhe mësohet se rreth një vit më parë i është bërë edhe një atentat tjetër, por që kishte arritur t’u shpëtonte plumbave. Konfliktet e tij me persona të tjerë kanë ndodhur për shkak të stoqeve të kromit. Nga informacionet e policisë thuhet se viktima, duke ushtruar presion prej të forti në Bulqizë, përvetësonte stoqe kromi, që ishin pronë e të tjerëve. Nisur nga kjo, po hetohen personat që kanë pasur konflikt me të. Dyshohet se autorët e kësaj ngjarjeje janë të njëjtit autorë të atentatit të një viti më parë.

Itali

Ndërkaq, për ekzekutimin e një shqiptari në Itali, që fillimisht u tha se është vrarë për larje hesapesh, policia italiane ka arrestuar dy persona. Sipas policisë italiane, dy vëllezër shqiptarë janë vënë në pranga si të dyshuar kryesorë për vrasjen e bashkëkombësit të tyre, Sadik Hajderasi. Mediat italiane raportojnë se të dyshuarit u ndaluan në një autobus, pranë aeroportit në Malpensa, teksa po tentonin të kalonin kufirin. Nga hetimet paraprake mësohet se të arrestuarit nuk kanë pranuar të flasin për policinë dhe menjëherë pas shoqërimit kanë kërkuar praninë e një avokati. Pista kryesore e hetimit mbi të cilën po heton drejtësia italiane lidhet me aktivitetin kriminal të viktimës dhe janë duke u verifikuar të gjitha mosmarrëveshjet që ka pasur në të kaluarën me individë dhe grupe kriminale, që mendohet të jenë po shtetas shqiptarë.

Top Channel