Burgaj: 7 vrasje më pak se vitin e shkuar

04/09/2013 00:00

Ndërsa krimi ka marrë përmasa alarmante, kreu i Policisë së Shtetit,
Hysni Burgaj në një takim me vartësit e tij në qarqe ka thënë se policia
e ka rendin nën kontroll.

Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Burgaj u ka thënë vartësve të tij se: “Pavarësisht faktit se për periudhën 8 mujore ka një rënie të numrit të veprave penale me 708 vepra më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, po ashtu dhe një rënie të numrit të vrasjeve me 7 më pak, objektiv parësor i punës së të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit duhet të jetë parandalimi dhe goditja e kriminalitetit, e në mënyrë të veçantë krimeve të rënda siç janë vrasjet, të cilat janë tepër të ndjeshme për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve, prandaj vëmendja e strukturave policore duhet të jetë e përqendruar në këtë drejtim të punës”.

Po kështu, sipas njoftimit, gjatë këtyre tetë muajve ka pasur edhe rënie të numrit të aksidenteve me pasojë vdekjen, 28 të tilla më pak.

Por shifrat flasin ndryshe. Sipas raportit më të fundit të IDM në vend një person vritet në çdo tre ditë dhe në çdo 90 minuta regjistrohet një vjedhje. Në çdo 24 orë ndodh një krim kundër jetës, ndërsa vrasje të mbetura në tentative regjistrohet një në çdo 36 orë.  Sipas statistikave për një vit janë evidentuar 14.030 vepra penale ku pjesën dërrmuese të tyre (rreth 96%) e zënë vjedhjet e ndryshme, kanosjet, armëmbajtjet pa leje, plagosjet dhe veprat penale kundër pronës ku mesatarisht çdo 40 minuta ka ndodhur një krim. Ndërkohë po sipas raportit Policia e Shtetit arrin të zbulojë vetëm 55%, ndërsa pjesa tjetër e tyre ka mbetur pa autor ose policia është ende në kërkim të tyre.

Top Channel