Ajo njihet si një grua në karierë. Jo më kot është shefe administrative e
kolosit të internetit, “Yahoo!”. Por Marissa Mayer ka edhe një pasion
tjetër, luksin.

Me bashkëshortin e saj Zac Brogue ajo ka blerë një vilë 35 milionë dollarëshe në rrugën “2950 Broadway” të San Françiskos, e njohur ndryshe si Vargu i Miliarderëve pasi atje jetojnë vetëm pasanikë.

Sipas mediave amerikane, çifti kishte përdorur identitete të rreme për të mbajtur larg vëmendjen, por në fund është zbuluar përmes thashethemeve që kanë qarkulluar në internet.

E ndërtuar në vitin 1992 nga arkitekti Frederick H. Meyer, rezidenca madhështore në stil “Tudor” ruan ende të paprekur dekorin e saj origjinal, elegancën arkitektonike të kohës, me dyshemenë prej druri të ndërtuar me dorë dhe ato xhama nga të cilët shihet një pamje e mrekullueshme e Gjirit të San Françiskos.

Me katër kate, e pajisur edhe me ashensor, për një sipërfaqe që i kalon 1 mijë metra katrorë, vila ka katër dhoma gjumi dhe dy ndënjieje, si dhe dy kuzhina, një korridor në mermer, një sallë drekash për pritje dhe një tjetër për përdorim të përditshëm.

Në bodrum ndodhen 5 hapësira të ndryshme, prej të cilave njëra është një garazh për katër makina dhe një tjetër një kantinë për 3 mijë shishe vere, ndërsa jashtë ka tarraca panoramike, kopshte dhe një pishinë.

Top Channel