“Kurrë mos u dorëzo”, Diana Nyad hyn në histori

03/09/2013 05:00

Një amerikane e moshës 64-vjeçare arriti të përmbushë sipërmarrjen e saj për të arritur me not Floridan, duke u nisur nga Kuba pa mbrojtjen nga një kafaz anti-peshkaqeni, si dhe pa pajisje notimi.

Diana Nyad e kishte tentuar edhe 4 herë të tjera këtë sipërmarrje prej rreth 165 km, nga Havana në Key West, por gjithmonë e kishte braktisur notimin për shkak të djegieve nga kandilët e detit.

Sigurisht, nuk ka munguar as urimi i presidentit Barack Obama nëpërmjet Twitter-it: “Urime Diana Nyad. Kurrë mos hiq dorë nga ëndrrat e tua”, shkroi presidenti.

“Do ta gjej një zgjidhje”. Kjo është parrulla e Diana Nyad gjatë vitit të kaluar, ekzaktësisht ajo çfarë bëri ditën e hënë. Ajo është personi i parë në botë që noton nga Kuba në Florida, për afro 53 orë pasi ishte hedhur në oqean në Havana. Kjo ishte përpjekja e 5-të në 35 vite.

“Është gjithçka autentike. Një histori e madhe. Kisha një ëndërr 35 vjet më parë, e cila nuk u realizua, por vazhdova të jetoja jetën time. Dhe, ja ku u ktheva. Një ditë të mirë mbusha të 60-at, mamaja ndërroi jetë dhe po kërkoja të bëja diçka. Ëndrra m’u rizgjua përtej imagjinatës”, tha Nyad.

Notimi nuk ishte i lehtë…

Top Channel