Korsitë e autobusëve, të shkatërruara

03/09/2013 00:00

Korsitë e autobusëve në rrugët qytetase të Tiranës, krahas faktit që nuk shërbejnë më për zvogëlimin e trafikut, dita-ditës po shkatërrohen gjithnjë e më shumë.

Pjesa më e madhe e këtyre korsive nuk janë funksionale e ndërkohe trafik-ndarëset e vendosura nga bashkia janë shkatërruar, madje në disa rrugë shihen vetëm shenjat, që vërtetojnë se ato janë hequr apo dëmtuar.

Nga një vezhgim i bërë nga kamera e Top News vihet re që korsitë, krahas faktit që janë dëmtuar, nuk respektohen as nga drejtuesit e mjeteve.

Korsia e autobusëve filloi si një nismë për të krijuar një korsi ku mund të qarkullonin vetëm biçikletat, motoçikletat dhe autobusët.

E kundërta ndodh aktualisht në Tiranë, ku mjaft drejtues automjetesh qarkullojnë në këtë korsi për të shmangur sado pak trafikun.

Policia rrugore duket se nuk merr asnjë masë për shkelësit, ndërkohë që në mjaft raste parakalimet apo lëvizjet në kundravajtje në këto korsi bëhen në praninë e tyre.

Sipas Rregullores së Qarkullimit Rrugor çdo kundravajtës për këtë shkelje gjobitet me 1000-3000 lekë të reja deri në bllokim të lejes së drejtimit.

Megjithatë edhe në parandalimin e shkelësve policia në disa raste e ka të pamundur të gjobisë drejtuesit e automjeteve pasi në mjaft raste, në hyrjen e këtyre korsive mungojnë tabelat që tregojnë mjetet që e kanë të lejuar të lëvizin në korsi.

Aktualisht, korsitë e autobusëve kanë nevojë që të pajisen me ndarëse të reja, ndërkohë çdo qytetar apo drejtues automjeti është dëshmitar që bashkia nuk ka investuar për rehabilitimin e këtyre korsive, që sadopak shërbejnë për uljen dhe zvogëlimin e trafikut në Tiranë.

Top Channel