Ndërron jetë gazetari britanik Frost

01/09/2013 21:20

Gazetari i njohur britanik, David Frost, ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare, pas një infarkti. Ai ndodhej në anijen turistike “Queen Elizabeth”.

Frost do të mbahet mend gjatë, veçanërisht për intervistën që i bëri ish-presidentit amerikan, Ricard Nikson, për çështjen “Watergate”.

Kryeministri britanik, David Cameron, i shprehu ngushëllimet familjes së Frost, duke e kujtuar “si një mik dhe, njëherazi, një intervistues të cilit ia kish pasur frikën”.

Frost u bë i njohur me programin satirik “That was the week that was” dhe më pas vijuan “Frost Report” dhe “David Frost Show”, ku ftoi personazhe të famshëm si Ricard Berton apo Rolling Stones.

Por, suksesi i tij më i madh lidhet me intervistën që i kërkoi Niksonit, pas dorëheqjes për skandalin e Watergate-t në vitin 1974, që ish-presidenti amerikan e dha në 1977, në përpjekje për të restauruar imazhin dhe i bindur se gjendej përpara njeriut, që lidhej më shumë me spektaklin se sa me informacionin.

Nikson pranoi përpara kameras gabimet dhe tradhtinë ndaj popullit amerikan. Ishte pikërisht “tradhtia” që u artikulua së pari prej tij. Me 45 milionë spektatorë, një rekord për epokën, intervistat e Frost patën sukses të jashtëzakonshëm.

Top Channel