Pavarësisht kërkesës së komunitetit dhe shoqërisë civile për ndaljen e
ndërtimit të gurores në përroin e Palasës, punimet në një nga zonat
simbol të bregdetit jugor vazhdojnë.

Artan Lame, anëtar i grupit të punës për programin Partisë Socialiste thotë se gjatë kësaj kohe shteti është mjaftuar me hartimin e shkresave, duke mos marrë asnjë vendim konkret për ndërprerjen e punimeve të gurores.

“Ka mbi 6 muaj që komuniteti vendas, bashkia, shoqëria civile, qytetarë, personalitete kanë ndërhyrë dhe janë munduar të bëjnë presion për të ndaluar krimin që po ndodh në ballkonin e Llogarasë. E vetmja gjë që ka bërë shteti shqiptar është që ka prodhuar letra për të mos bërë punën”, thotë Lame.

Në kushtet e përfundimit të mandatit të një qeverie dhe ardhjes në pushtet të qeverisë së re, zoti Lame i kërkon në mënyrë të drejtpërdrejtë biznesit të ndërpresë atë që e quan masakër mjedisore.

“Nuk i drejtohem më as Qeverisë, as Ministrisë së Mjedisit që ka gatuar këtë pacavure. I drejtohem biznesve: Mos hidhni para kot sepse nesër nuk do të keni kujt t’ia kërkoni, ose duhet të shkoni t’ua kërkoni atyre që ju paguat”, thotë Lame.

Ndërsa për Artan Shkrelin ndërtimi i gurores po shkatërron një nga peisazhet më të rëndësishme turistike në vend.

“Të gjithë piktorët e huaj, eksploratorët e mëdhenj të Shqipërisë kanë mbetur të mrekulluar nga kjo pjesë amfiteatrale që sot po cënohet për t’u bërë thjesht një gurore banale e shëmtuar dhe që do të degradojë këtë peizazh që është peizazh historik”, thotë Shkreli.

 

Top Channel