Emigrantët, që zgjodhën Shqipërinë për të kaluar pushimet, janë duke u kthyer në masë në Greqi. Numri i shqiptarëve në dalje është pesë herë më i madh se ai në hyrje, në këto ditë të fundit të gushtit.

Deri në mesditë, vetëm në pikën kufitare të Kakavijës kanë udhëtuar drejt Greqisë më shumë se 5 mijë e 200 persona. Por, sërish kanë hasur probleme në kalim, për shkak të punës vetëm me pak sportele nga pala greke.

Ndërsa pala shqiptare është duke punuar me dyfishin e saj, grekët, si gjatë gjithë sezonit veror edhe në pikun e saj, punojnë me numër të vogël sportelesh.

Gjatë së dielës, ata kanë punuar me katër të tilla, por me ritme të ngadalta pune. Për shkak të këtij ritmi, radha e automjeteve në orët e para të mëngjesit në Kakavijë i kaloi 1 mijë metrat.

Vargut të automjeteve i shtohej edhe numri i madh i emigrantëve, që ktheheshin në banesat e tyre në shtetit helen. Ndërsa, në pikat e tjera të kalimit kufitar me Greqinë nuk janë hasur radhë të gjata. Në Kapshticë kanë dalë deri në mesditë të paktën 2 mijë e 400 shtetas shqiptarë.

Top Channel