Përse duhet të keni një buxhet personal?

20/08/2013 00:00

Shumë njerëz nuk janë plotësisht të bindur që kanë nevojë për një
buxhet. Mënyra se si ata arsyetojnë është diçka e tillë: “Ajo që
praktikisht më duhet të bëj është të shpenzoj më pak sesa të fitoj.
Atëherë përse më duhet një buxhet?”

Në qoftë se kjo ngjan me diçka që edhe ju mendoni, pikërisht ju keni më tepër nevojë për të mbajtur një buxhet. Të tjerë njerëz e ndiejnë nevojën e buxhetit, por nuk dinë nga t’ia fillojnë. Megjithëse disa njerëz e shohin të nevojshme të krijojnë një buxhet personal, ekzistojnë të tjerë, të cilët thjesht nuk kanë dëshirë të kufizojnë shpenzimet e tyre. Shumë njerëz kryejnë blerje emocionale dhe të pamenduara mirë.

Në mënyrë që kjo të shmanget, njerëzit duhet të jenë më të përgjegjshëm me shpenzimet e tyre. Një prej mënyrave më të mira për të ndihmuar dikë të arrijë këtë qëllim është buxheti personal. Buxheti personal përfshin një strukturë të detajuar të të ardhurave dhe të shpenzimeve tuaja, e cila tregon gjendjen reale të situatës tuaj financiare. Një fjalë e mençur e popullit thotë “Nuk është e domosdoshme të jesh pulë për të nuhatur një vezë të prishur!”. Kësisoj, nuk është e domosdoshme që të jesh një ekonomist për të ndërtuar një buxhet. Le të hedhim një vështrim mbi origjinën e kësaj fjale. Fjala buxhet e ka prejardhjen nga fjala frëngjisht buzhet (bougette),
e cila rrjedh nga fjala buzh (bouge), që do të thotë një çantë lëkure. Sipas këtij shpjegimi, fjala në shqip buxhet, nënkupton një çantë të vogël lëkure. Në Mesjetë, përpara asamblesë angleze prezantoheshin disa letra, të cilat përmbanin informacion rreth taksave dhe shpenzimeve. Këto letra futeshin në çanta të vogla lëkure (bougette), të cilat vendoseshin mbi një tavolinë përpara asamblesë.

Me kalimin e shekujve, kjo fjalë filloi të përdorej sipas kuptimit të vetë çantës, megjithëse fillimisht tregonte vetëm një grup sendesh. Ndërsa përkufizimi i sotëm i fjalës buxhet nënkupton “një parashikim të specifikuar të shpenzimeve të një personi ose të një kompanie, që priten të kryhen në një periudhë kohe të përcaktuar”.

Të mirat e buxhetit

Po cilat janë të mirat që na sjell buxheti? Sigurisht që përgjigjja e kësaj pyetjeje është e ndryshme për çdo individ, por më poshtë mund të gjeni disa prej avantazheve që njerëzit vënë re kur fillojnë të mbajnë një buxhet:

-Jeni gjithmonë në dijeni të gjendjes tuaj financiare buxheti personal ju jep mundësinë të dini me saktësi sesa të
ardhura keni. Për më tepër, ai është një mënyrë për të edukuar veten tuaj dhe ju tregon se si kategorizohen të ardhurat tuaja, a ju mjaftojnë ato dhe sa kohë ju duhet për të arritur qëllimet tuaja.

-Ju mund të kontrolloni më mirë financat tuaja

Pasi të jeni njohur me buxhetin, ju do të jeni në gjendje të dini më mirë se çfarë ndodh me fitimet tuaja. Shpesh fitimi i të ardhurave është i vështirë, ndërsa shpenzimi i tyre është gjëja më e lehtë. Kështu, mbajtja e një buxheti personal ju jep mundësinë që të kontrolloni paratë tuaja në vend që të ndodhë e kundërta.

-Ju mund të jeni më të organizuar

Edhe pse mund të jetë i formave më të thjeshta, buxheti i sistemon ose i organizon të ardhurat tuaja në disa kategori shpenzimesh dhe kursimesh. Përveç kësaj, buxheti mund të ofrojë më tepër organizim, pasi siguron të dhëna për të gjitha veprimet tuaja me para.

-Ju mund të përmirësoni aftësitë tuaja të komunikimit

Në qoftë se jeni i/e martuar, keni një familje ose i ndani paratë me dikë tjetër, të kesh një buxhet, të cilin (të dy ose të gjithë) e keni krijuar së bashku, është një mundësi më shumë për të gjetur gjuhën e përbashkët në lidhje me shpenzimin e parave. Buxheti është një mjet komunikimi nëpërmjet të cilit diskutohet se ku dhe në çfarë duhet të shpenzohen paratë.

-Ju mund të përfitoni nga mundësi të favorshme. Duke ditur gjendjen e saktë të situatës tuaj financiare, dhe duke qenë në kontroll të saj, buxheti ju ndihmon të përfitoni nga mundësi që ndoshta po të mos kishit një buxhet mund t’ju humbitnin. Shpesh ju është dashur të mendoni nëse keni mundësi të blini diçka. Në qoftë se keni mbajtur një buxhet personal nuk keni pse t’ia bëni më këtë pyetje vetes.

-Ju jep mundësinë të keni më tepër kohë të lirë

Të gjitha veprimet tuaja financiare organizohen automatikisht për çdolloj pikëpyetjeje që ju mund të keni rreth çështjes se, ku dhe si do t’i shpenzoni të ardhurat. Duke pasur këtë lloj informacioni i kurseni kohë vetes.

-Ju jep mundësinë të kurseni dhe të keni më shumë para në xhepat tuaj

E kush nuk do ta dëshironte këtë? Të jeni të sigurt që buxheti “do të prodhojë” para shtesë për ju. Mund të shmangen shpenzime të panevojshme, pasi ato të identifikohen. Kursimet, edhe ato më të voglat, mund të grumbullohen dhe të vihen në shërbimin tuaj.

Top Channel