Sëmundjet që përkeqësohen nga dielli

19/08/2013 00:00

Në kohën kur jeni me pushime, e dini tashmë që përdorimi i kremit
mbrojtës dhe të përshtatshëm për lëkurën tuaj është gjithmonë i
nevojshëm nëse nuk dëshironi që dielli të mos kthehet armiku juaj. Janë
të shumta patologjitë (të lëkurës ose jo) të cilat përkeqësohen nga
ekspozimi në diell.

Kështu që gjithmonë është e rekomandueshme një vizitë te dermatologu përpara se të niseni për në plazh, apo për pushime.

Dermatiti (pezmatimi i lëkurës)

Për ata që e kanë lëkurën shumë të thatë, dehidratimi dhe dielli janë armiq të saj, pasi rrisin edhe më shumë thatësinë. Për të luftuar këtë është e nevojshme të hidratoheni duke pirë shumë ujë dhe përveç një mbrojtësi të mirë kundër diellit, ju duhet të përdorni edhe një krem hidratues për të gjithë trupin përpara dhe pas ekspozimit në diell.

Melsama

E shkaktuar nga ndryshimet hormonale që ndodhin gjatë shtatzënisë, ajo mund të bëhet akute në verë si pasojë e ekspozimit në diell. Bëhet fjalë për disa njolla antiestetike (të shpifura) të cilat mund të shfaqen në zonat më delikate si në gjoks dhe në fytyrë. Por nuk është e nevojshme që për këtë motiv ju të hiqni dorë nga marrja e rrezeve të diellit, mjafton të mbroheni vazhdimisht dhe në mënyrën e duhur.

Pikat në lëkurë

Pikat në lëkurë, të cilat varen thjesht nga një përqendrim më i madh lokal i melanocites, bëhen edhe më të dukshme gjatë daljes në diell. Melanocitet janë qelizat të cilat prodhojnë melaninën dhe ekspozimi i madh nën rrezet e diellit i bën ato më intensive dhe të rriten në mënyrë të ndjeshme.

Melanoma

Në momentin që melanocitet degjenerojnë në mënyrë të pakontrolluar, ato mund të shkaktojnë melanomën. Nëse nuk mbroheni vazhdimisht, sidomos gjatë orëve më të nxehta kur dielli është më intensiv, mund të shkaktojë këtë shqetësim, i cili mund të kthehet në një sëmundje të vërtetë. Është e nevojshme të bëni shumë kujdes si kur e keni lëkurën të bardhë edhe të zezë.

Herpesi i buzëve

Ekspozimi në diell përkeqëson infeksionin e shkaktuar nga herpesi simplex, i cili shfaqet me flluska të bezdisshme dhe të shëmtuara mbi buzët. Midis hipotezave që justifikojnë këtë përkeqësim të herpesit është ekspozimi i tepruar ndaj rrezeve UV, që ul sistemin imunitar dhe stimulon shfaqjen dhe përhapjen e herpesve.

Aknet, puçrrat në fytyrë

Skuqja e zonave të caktuara të fytyrës nga dielli, si ajo rreth syve, mjekrës dhe ballit manifestohet me puçrra që zakonisht çojnë në kruarje dhe flluska të vogla. Përveçse duhet të mbroheni gjatë kohës së ekspozimit në diell, për ta shmangur këtë është e nevojshme të mos pini shumë kafe dhe të limitoni në përgjithësi ushqimet kalorike dhe kafeinën.

Top Channel