Hapet në Prizren “Dokufest”

18/08/2013 17:00

Me një performancë artistike me moton “Theji kufijtë” dhe me dokumentarin “Stories we tell”, të regjisores Sarah Polley, në Prizren nisi edicioni i 12-të i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar, “DokuFest”.

Të pranishëm në hapjen e festivalit, në mesin e qindra artdashësve ishin edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, ndër ta edhe presidentja e vendit Atifete Jahjaga.

Sipas organizatorëve, ky edicion është më i madhi deri më tani.

“Jemi shumë të emocionuar për hapjen e festivalit sot, me shfaqjen e filmit ‘Stories we tell’ dhe me performancën artistike. Në të njëjtën kohë kemi hapur dhe 3 kinema të tjera në qytetin e Prizrenit. Ky është edicioni më i madh deri më tani, me 250 filma që priten të shfaqen, dhe me më shumë se 200 vizitues të festivalit me regjisorë dhe njerëz të tjerë nga industria e filmit dokumentar”, tha Nita Deda e Marrëdhënieve me Publikun, “DokuFest”.

Me staf prej 70 personash dhe me 150 vullnetarë, “DokuFest”, çdo vit e më shumë po merr përmasa më të mëdha, duke sjellë emra të mëdhenj të industrisë së filmit dhe mundësi të mira për të rinjtë, përmes puntorive të kësaj industrie.

Të shtunën në mbrëmje u shfaqën 7 filma dokumentarë, në 4 kinema të ndryshme. Gjatë 9 ditëve të festivalit, deri më 25 gusht, do të shfaqen 250 filma, 106 prej tyre në programin garues.

Top Channel