Vezë kundër liderit të opozitës britanike

14/08/2013 18:55

Lideri i opozitës britanike dhe një prej kandidatëve kryesorë për të zëvendësuar Cameron në detyrën e kryeministrit, Ed Miliband, përjetoi një mikpritje aspak të ngrohtë, në një vizitë tek disa tregtarë vendorë në lindje të Londrës.

Miliband, në takimin e parë politik pas pushimeve të kaluara në Francë, shpresonte që t’i shpjegonte tregtarëve se çfarë ka ndërmend plani i laburistëve për të rimëkëmbur ekonominë dhe nxitur biznesin e tyre.

Megjithatë, disa tregtarë nisën të qëllonin Miliband me vezë, duke e fajësuar për mungesën e vizionit në parashtrimin e një rrugëdalje të vërtetë për problemet e tyre.

Ky sulm vjen në një moment të papërshtatshëm për opozitën britanike, me sondazhet që tregojnë një rritje të diferencës me konservatorët në pushtet në kryeministrit Cameron.

Pas këtij sulmi me vezë, Miliband ironizoi në profilin e tij në rrjetin shoqëror “Twitter”, duke shkruar: “Falenderoj të gjithë për mikpritjen ditën e sotme. Mund ta rekomandoj si treg për lehtësinë e sigurimit të vezëve”.

Top Channel