Vërshim klandestinësh arabo-afrikanë në kufijtë tanë

12/08/2013 00:00

Gjatë fundjavës që kaloi, në territorin e Shqipërisë jugore pranë
kufijve tokësorë mes vendit tonë dhe Greqisë fqinje, sipas deklarimeve
të autoriteteve policore, është prezent një vërshim i jashtëzakonshëm i
grupeve të emigrantëve klandestinë të ardhur nga vendet e Lindjes së
Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Vetëm ditën e diel, patrullat e policisë kufitare dhe postblloqet e policisë më në brendësi të territorit, kanë zbuluar dhe bllokuar tri grupe emigrantësh klandestinë me 57 persona të gjinive dhe moshave të ndryshme.

Sipas deklarimeve të zëdhënësit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullai, grupi i parë i klandestinëve me ngjyrë është bllokuar mëngjesin e së dielës gjatë një operacioni të organizuar nga sektori i luftës kundër trafikimit të emigrantëve të paligjshëm në afërsi të Ujit të Ftohtë Tepelenë. Një patrullë policie e këtij shërbimi, nën drejtimin e shefit të luftës kundër trafiqeve, Vojo Peçi, mbështetur edhe në burime operative informacioni, është vënë në ndjekje të një grupi klandestinësh, të cilët të udhëhequr nga dy trafikantë nga Fieri udhëtonin në pyllin me rrape të Parkut Kombëtar të Ujit të Ftohtë për t’iu shmangur kontrollit të patrullës së përhershme policore e stacionuar afër pikës turistike të Ujit të Ftohtë. Pas ndjekjes për rreth dy orë është bërë i mundur ndalimi i 14 shtetasve të huaj që tentonin të qarkullonin në drejtim të Tiranës e Shkodrës. Në përbërje të këtij grupi klandestin, që sipas deklarimeve të tyre vinin nga Eritrea dhe Pakistani, ishin 5 vajza dhe 9 djem të moshës 19-26 vjeç, mes tyre, një vëlla me 2 motra dhe 4 vajza që bashkudhëtonin në këtë aventurë së bashku me të dashurit e tyre. Komandanti i operacionit Vojo Peçi tha se dy shoqëruesit fierakë të grupit të emigrantëve gjatë bllokimit kanë mundur të largohen në drejtim të paditur, por ata janë të evidentuar dhe janë shpallur në kërkim nga policia. Gjatë deklarimeve të tyre në polici, klandestinët kanë pohuar se destinacioni i tyre ishte Mali i Zi e më pas vendet e Bashkimit Europian, sipas mundësive dhe se për këtë shërbim ata kishin paguar 1500 euro për shoqërimin deri në kufirin me Malin e Zi.

Operacioni i dytë kundër vërshimit të emigrantëve klandestinë nga vendet e Lindjes dhe Afrika i përket policisë kufitare në afërsi të Pikës së Kalimit të Kakavijës, operacion sipas burimeve të policisë që është drejtuar nga vetë drejtori i policisë kufitare Admir Abria. Patrullat e policisë kufitare gjatë këtij operacioni të shtrirë në trekëndëshin e hapësirës midis fshatit Kakavijë, Vrisera dhe Jorgucat në afërsi të Pikës Kufitare të Mullirit, kanë mundur të zbulojnë dhe bllokojnë një grup të madh me klandestinë të huaj që lëviznin midis shkurreve të shtratit të lumit Drino për t’iu shmangur kontrolleve të policisë. Grupi përbëhej nga rreth 35 emigrantë klandestinë, mes tyre 6 ishin gra dhe 29 burra. Klandestinët, sipas deklarimeve të tyre, vinin nga vende si Siria, Pakistani dhe Maroku.

Operacioni i policisë kufitare ka vazhduar duke u shtrirë në një territor më të gjerë dhe gjysmë ore më vonë policia kufitare ka zbuluar dhe ndaluar një grup tjetër të përbërë nga 8 shtetas të huaj në afërsi të shtratit të lumit Drino, midis fshatrave Jorgucat dhe Radat, rreth 15 km larg Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës. Sipas deklarimeve, grupi përbëhej nga emigrantë të ardhur nga Pakistani dhe se kishin për destinacion Malin e Zi e më pas vendet e Europës Qendrore.

Sipas deklarimeve zyrtare të zëdhënësit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullai, të tria grupet e emigrantëve klandestinë janë shoqëruar fillimisht në zyrat e policisë, ku janë marrë e verifikuar dokumentet e identitetit, deklarimet për vendin e origjinës dhe vendin nga ku ata kanë hyrë për në Shqipëri dhe më pas janë dërguar për në pikën e grumbullimit dhe trajtimit të personave të trafikuar dhe emigrantëve klandestinë në Kakavijë. Pas përpunimit të dokumentacionit individual për secilin prej emigrantëve të bllokuar, policia kufitare, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, do t’i dorëzojë ata nga Greqi në vendin nga kanë hyrë në territorin shqiptar. Personat e huaj që kapen për herë të parë si emigrantë klandestinë pa dokumente qëndrimi në shtetin shqiptar, pasi intervistohen me urdhër prapësimi kthehen andej nga kanë ardhur dhe nuk u lejohet hyrja në Shqipëri për 5 vjet, ndërsa për personat që e kanë këtë një veprim të përsëritur kalohen në ndjekje penale dhe dënohen nga gjykata dhe prapësimi i tyre bëhet pas kryerjes së dënimit të gjykatës

Autoritetet e policisë kufitare shqiptare bëjnë të ditur se është shtuar në mënyrë të ndjeshme vërshimi i emigrantëve të huaj nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë. Gjatë këtyre 4-5 muajve të fundit ka bllokuar grupe të vogla me dy-tre emigrantë të huaj, por prej një jave në këtë territor janë konstatuar dhe bllokuar grupe të mëdha me mbi 10-15 shtetas të huaj që tentojnë të përdorin Shqipërinë si vend transit për të kaluar në Europë. Disa ditë më parë, burimet e policisë bënë të ditur se në Ujin e Ftohtë u bllokua një grup me 15 persona të huaj të shoqëruar nga dy vendas nga fshati Luzat i Tepelenës, të cilët janë arrestuar në flagrancë, të akuzuar për trafikimin e tyre, kryerjen e veprës penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, kryer në bashkëpunim”.

Top Channel