“Toponimet”, sërish probleme me qarkullimin e emigrantëve

12/08/2013 00:00

Hyrjet e emigrantëve nga Greqia nëpërmjet vendkalimit kufitar të
Kapshticës kanë pasur një fluks të lartë gjatë 48 orëve të fundit, por
ndërkaq nuk mungojnë edhe problemet me familjet e emigrantëve që kthehen
mbrapsht nga pala greke, për shkak të toponimeve në pasaporta.

Vendimi i qeverisë greke për të lehtësuar qarkullimin ndërkufitar të emigrantëve në dogana për çështjen e toponimeve në pasaportat e fëmijëve të tyre vetëm gjatë muajit gusht, duket se ka nxitur një numër jo të paktë shtetasish shqiptarë që të udhëtojnë drejt vendit fqinj dhe anasjelltas.

Burime zyrtare nga policia kufitare rajonale e Korçës, bënë të ditur se që ditën e shtunë, sapo është mësuar dalja e këtij vendimi favorizues nga qeveria greke, është vënë re një shtim i numrit të emigrantëve që erdhën në pikën doganore të Kapshticës.

Kështu, në dy ditët e kësaj fundjave, është regjistruar një dyfishim i menjëhershëm i numrit të emigrantëve të ardhur nga Greqia. Nga ana e policisë kufitare, ardhja e emigrantëve këto dy ditët e fundit, vlerësohet si një fluks, sepse lëvizja me mjete të vogla dhe autobusë nga Greqia në drejtim të vendit tonë është e vazhdueshme. Afro 10 mijë udhëtarë, pjesa më e madhe e të cilëve emigrantë, mësohet se janë regjistruar në hyrje për në Shqipëri në Doganën e Kapshticës gjatë dy ditëve të fundjavës. Policia tha se ky numër emigrantësh shënon për herë të parë këtë sezon vere një lloj fluksi, por në krahasim me vite të mëparshme, kur gjatë sezonit të verës vinin mbi 50 mijë emigrantë, këtë vit është i ulët deri tani. Pritet që lehtësimi për emigrantët që janë vendosur në Athinë për sa u përket toponimeve në pasaportat e fëmijëve të tyre, të ndikojë pozitivisht në kthimin e një numri më të madh të shtetasve shqiptarë që janë vendosur me punë dhe familjet e tyre në shtetin fqinj.

Por, vendimi i qeverisë greke dhe marrëveshja që të lejohen pa pengesa për qarkullim ndërkufitar vetëm ata emigrantë dhe fëmijët e tyre që janë vendosur në Athinë, duket se nuk ka zbatim për ata që janë të vendosur në qytete apo zona të tjera të Greqisë. Kështu, emigrantë dhe familje të tyre që janë të punësuar në qytete të tjera greke si Selaniku, zona këto më të afërta për qarkullim ndërkufitar me Kapshticën, kanë ndeshur sërish në refuzimin e palës greke për të kaluar fëmijët përtej kufirit. Autoritete të policisë kufitare në Kapshticë, pohuan se dy raste të kthimit mbrapsht të emigrantëve dhe fëmijëve të tyre që janë vendosur në Selanik, janë regjistruar vetëm paraditen e së dielës. Sipas të dhënave, edhe gjatë orëve të pasdites janë vërejtur probleme me emigrantët shqiptarë, kur janë paraqitur në Kapshticë dhe kanë dashur të kryejnë procedurat për të hyrë sërish në Greqi. Pala greke në Doganën e Kapshticës, mësohet se është treguar tepër seleksionuese dhe me përjashtim të atyre emigrantëve që në pasaportat e fëmijëve të tyre kanë vendlindjen Athinë, nuk ka lejuar hyrje të shqiptarëve me fëmijë të vegjël për zona të tjera. Ndërkaq, edhe pse me një lloj fluksi në rritje, ardhja e emigrantëve në këto dy ditët e fundit nga Greqia, nuk ka pasur zvarritje apo qëndrime të zgjatura të tyre në doganë, si nga ana e palës greke që punon me dy sportele, edhe nga pala shqiptare që ka shtuar shërbimet dhe sportelet e saj për të përballuar këtë shtim të numrit të udhëtarëve.

Top Channel