Voskopoja, fshati turistik ku ndërthuret magjishëm gjelbërimi me kulturë, çdo ditë e më tepër po pushtohet nga turistët.

Me një potencial të vecantë turistik, fshati është shndërruar në një destinacion të mirëfilltë duke bërë që qytetarë nga gjithë Shqipëria të braktisin pushimet tradicionale në bregdet dhe të provojnë dicka ndryshe.

Fshati ngjan më tepër me një cep të vogël parajse ku mund të shijosh natyrën dhe ajrin e pastër, të prekësh nga afër një kulturë dhe traditë të lashtë, të vizitosh dhe të intrigohesh nga kishat e tij, të ecësh në rrugët e kalldrëmta dhe të shohësh shtëpitë e ndërtuara me gurë.

Voskopoja ndodhet vetëm 18 kilometra larg nga qyteti i Korçës dhe për të shkuar atje nuk ka asnjë pengesë. Infrastruktura rrugore është favorizuese për këtë pikë turistike e cila nga viti në vit shënon rritje të shifrave të turistëve.

Kreu i komunës, Nexhip Bacelli pohon se Voskopoja vetëm për muajin korrik ka pritur rreth 10 mijë turistë ndërkohë që janë marrë masa për përmirësimin e kushteve në mënyrë që fshati të lërë përshtypje sa më të mira për të gjithë vizitorët.

“Komuna e Voskopojës, duke marrë shkas nga vitet e tjera, nga viti në vit numri i turistëve rritet, kështu që detyra jonë është që nga viti në vit të shtojmë masat tona, vecanërisht në infrastrukturë”, thotë zoti Bacelli.

Fshatit nuk i mungojnë as turistët e huaj të cilët orientohen përmes guidave dhe të organizuar për të vizituar qoftë zonat me bukuri natyrore, qoftë monumentet e kulturës që Voskopojës nuk i mungojnë.

Top Channel