Këtë verë qytetarët shqiptarë kanë tkurrur shpenzimet për pushime krahasuar me një vit më parë. Prenotimet drejt destinacioneve turistike jashtë vendit, që sipas Unionit të Operatorëve Turistikë mund të përballohen financiarisht nga 10 për qind e totalit prej 1 milionë qytetarëve që bëjnë pushime, kanë shënuar një rënie me 10 %.

“Në kontekstin e përgjithshëm të sezonit, sepse jemi në mes të tij, ne statistikisht mund të themi që do të jemi rreth 10 për qind më pak se sa vitin e kaluar”, thotë Sadik Malaj nga Unioni i Operatorëve Turistikë Shqiptarë.

Tkurrja e shpenzimeve vërehet edhe në tendencën për të ulur ditët pushimit nga 15 apo 10 ditë në paketa 7-ditore.

“85 për qind preferojnë paketat 7-ditore. Ky fenomen ka qenë edhe për tregun turk edhe për plazhet e Palma De Majorka. Efekti i këtyre paketave do të jenë… aspekti ekonomik dhe problemet ekonomike që kanë familjet shqiptare, ku tendenca ka qenë për të bërë pushime më të shkurtëra me një buxhet më të lirë”, thotë zoti Malaj.

Destinacionet kryesore turistike mbeten Turqia dhe Greqia, kjo e fundit për shkak të ofertave të lira turistike dhe afërsisë gjeografike. Kësaj liste i shtohen si tendenca të këtij viti Palma De Mayorka dhe Ibiza, ndërsa pas tyre vjen tregu i Malit të Zi dhe Kroacisë.

Duke iu referuar pjesës tjetër të qytetarëve që pushojnë brenda vendit, zoti Malaj thotë se pas frenimit të ditëve të korrikut edhe si pasojë e periudhës zgjedhore, këto ditë vërehet rritje e pushuesve kryesisht në bregdetin e jugut, por edhe në plazhet e Velipojës dhe Shëngjinit. E njëjta tendencë vërehet edhe me ardhjet e shqiptarëve nga Kosova apo Maqedonia.

“Duke qenë që prezenca kryesore në plazhet shqiptare është prezenca e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë dhe të diasporës. Ka patur një frenim pas zgjedhjeve, por këtë 10 ditësh ka patur një dyndje të prurjeve turistike së paku në këto ditë ka një bum ardhjesh që vërehet nga fluksi në zonat kufitare hyrëse”, deklaron Malaj.

Top Channel