Bajrami, urimet e politikanëve

08/08/2013 00:00

Festën e Fiter Bajramit e kanë uruar, ashtu si ccdo vit edhe drejtuesit politikë të vendit. Me anë të një mesazhi, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i uron besimtarëve atë që ai e cilëson, festën më të madhe dhe më të bukur të myslimanëve.

“Le të na bëjë ky Bajram ta shohim botën dhe jetën me sytë e të dobtëve dhe të varfërve. Le ta mposhtim me mjete paqësore, me sakrifica si Ramazani dhe festa si Bajrami, kulturën e urrejtshme të sherrit, këtë rudiment të rrezikshëm trashëguar nga e kaluara diktatoriale. Nga thellësia e zemrës, ju uroj gjithë të mirat në këtë ditë të madhe. Le të jetë Dita e Bajramit një ditë e lumtur”, shkruan Presidenti Nishani në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve myslimanë.

Edhe Kryeministri Sali Berisha, me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook”, ka uruar besimtarët mysliman.

“Nëpërmjet sakrificave të këtij muaji njerëzit përjetojnë më pranë vuajtjet e atyre që kanë mundësi më të pakta por njëkohësisht përjetojnë premtimin e Zotit që pas vështirësisë, sakrificës e cila qendron në themel të çdo arritje të njeriut, vjen lehtësimi, shpërblimi. Ndaj le të urojmë ne nga zemra që kjo ditë e shenjtë të sjellë shëndet, mbarësi, paqe, begati për të gjithë shqiptarët”, përfundon urimin e tij Kryeministri Berisha.

Po përmes rrjeteve sociale, edhe Kryeministri i ardhshëm Edi Rama ka dërguar urimin e tij. “Të gjithe besimtareve myslimanë u uroj gëzuar festën e Bajramit të Madh dhe mbarësia u priftë familjeve tuaja!”,  shkruan Rama në “Tëitter”.

Ndërkaq, Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli pasi ka uruar  Kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar ka uruar dhe gjithë besimtarët.

“Gëzuar festën e Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë dhe jo vetëm, por të gjithë shqiptarëve ku ndodhen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo emigracion. Sot, sakrifica e atyre që agjëruan, burra, gra, djem dhe vajza nderohet e kurorëzohet në këtë festë e ditë të bekuar”, deklaroi Topalli.

Ka qenë zv.kryeministri i ardhshëm, Niko Peleshi i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe Ministrja e Integrim Klajda Gjosha, që kanë uruar besimtarët myslimanë në emër të qeverisë së ardhshme.

“Në emër të kryeministrit Rama dhe qeverisë së re, dëshiroj të uroj besimtarët shqiptarë në Shqipëri dhe trevat përreth, gëzuar festën e bukur të Fiter Bajramit. Nënvizoj këtë mesazh sa hyjnor edhe njerëzor, që ditët e gëzuara si Bajrami vijnë pas sakrificash, ndaj t’i qëndrojmë këtij mesazhi në jetën tonë të përditshme, duke uruar ditë më të begata për të gjithë”, uroi zoti Peleshi.

Në ambientet e Komunitetit Mysliman, krahas drejtuesve të komuniteteve të tjera fetare, kanë qenë të pranishëm dhe përfaësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Top Channel