Ish-fituesi i Turit të Francës në vitin 1998 dhe protagonist i një rivaliteti të gjatë me Lance Armstrong, Jan Ulrich, kërkoi që rivalit të tij t’i rikthehen të shtatë Turet që ka fituar.
Ulrich, i cili ashtu si amerikani ka pranuar përdorimin e substancave të ndaluara, për të cilat është ndëshkuar, arsyetoi: “Nëse do të varej nga unë, do t’i riktheja Armstrongut titujt e tij në Turin e Francës. Bjarne Riis i rikthyen titullin e vitit 1996 pavarësisht dopingut. Nuk është në të mirën e askujt që të ketë emra të fshirë dhe vite pa fitues në historikun e gjatë të Turit”, shtoi Ulrich, në një intervistë për të përditshmen “Bild”.
Riis pranoi në vitin 2007 se kishte përdorur doping dhe u përjashtua fillimisht nga lista e fituesve, por vetëm përkohësisht.
E ndryshme ishte situata e Armstrong, çiklistit amerikan që përpara se të humbte të gjithë titujt që prej vitit 1996, kur nisi të përdorte doping, kishte arritur të shndërrohej në çiklistin më të suksesshëm të të gjithë historisë.
I pyetur nëse do të kërkonte titujt e vitit 2000, 2001 dhe 2003, kur u rendit i dyti pas Armstrongut gjatë Turit të Francës, Ulrich përjashtoi këtë mundësi: “Mua më interesojnë vetëm fitoret e arritura në biçikletë. Ato që arrihen në tavolinë nuk më pëlqejnë”.
Top Channel