
Kukësi sot në mbërmje në orën 19:30 do të përpiqet të bëjë surprizën dhe rekordin e radhës. Me kalimin e ndeshjeve, sigurisht rritet edhe niveli i vështirësisë së kundërshtarëve, megjithatë Kukësi vazhdon të jetë gati të japë maksimumin përballë kujtdo.
Padyshim që ukrainasit e Metalurg Donjetskut janë një ekip i një niveli shumë të lartë, për ta aventura europiane, ndryshe nga skuadra shqiptare, fillon tani në raundin e tretë, që tregon një tjetër nivel skuadre.
Gjithsesi kryefjala e Kukësit pa individualist apo lojtar disa-milion eurosh si skuadra ukrainase, mbetet dhënia e maksimumit në fushë.
“Çdo kalim turi, kundërshtarët vijnë e bëhen më të fortë. Në këtë aspekt përballja e mbrëmjes së sotme me ekipin ukrainas të Metalurgut, ka për të qenë një përballje e vështirë, por jo e pamundur për të provuar për të bërë diçka serioze dhe të mirë ashtu siç kemi bërë deri më sot. E rëndësishme është shpirti në fushë. Nuk ka hyrë dhe nuk do të hyjë kurrë Kukësi për t’u mbrojtur”, deklaroi Armando Cungu, trajner i Kukësit.
Me një fitore dhe 3 barazime në katër ndeshjet e zhvilluara deri më tani në Europë për Kukësin, ajo që të paktën bie në sy nga jashtë, është loja e ndershme, mbi ndeshjet e Kukësit nuk ka pasur asnjëherë hije dyshimi për rezultatin e ndeshjeve dhe kjo është vetia më e vlerësuar për skuadrën veriore.
“Kjo është shumë pozitive për të cilën gjej rastin të falenderoj presidencën e Kukësit, zotin Gjici dhe të gjithë që kanë kërkuar gjithmonë të jepet maksimumi në fushën e lojës. Kjo është një garanci dhe motiv i madh për mua dhe gjithë lojtarët për të luajtur në fushën e lojës”, tha trajneri Cungu.
Sa i përket mbështetjes duket se në këtë ndeshje të sotme do të jetë edhe më e madhe. Tribunat përballë D1, D2 dhe D3 kanë një çmim prej 500 lekësh nga 800 që ishin në dy ndeshjet e para ndërsa tribuna qëndrore do të ketë një çmim bilete prej 2000 lekësh.
Ndeshja mes Kukësit dhe Metalurgut do të zhvillohet në orën 19:30 në “Qemal Stafa”.
Top Channel