Hoeness në gjykatë për evazion fiskal

30/07/2013 00:00

Presidenti i Bajernit të Mynihut, Uli Hoeness u akuzua zyrtarisht për evazion fiskal dhe shmangie të taksave.

Pas muajsh të tërë hetimesh, hetuesit gjermanë dorëzuan në gjykatë një dosje voluminoze në të cilën akuzojnë presidentin e Bajernit për shmangje të tatimeve në vlera kolosale.

Tashmë, avokatët dhe përfaqësuesit ligjorë të Hoeness kanë një muaj kohë për të kundërshtuar akuzat, para se muajin e ardhshëm, një gjykatë të vendosë nëse cështja duhet të gjykohet apo jo.

Lajmi për ekzistencën e një llogarie të fshehtë në emër të presidentit të Bajernit të Mynihut në fillim të këtij viti, shkaktoi indinjatë në publikun gjerman. Edhe vetë kancelarja gjermane u përfshi duke deklaruar përmes zëdhënësit të saj se ndjehej e zhgënjyer nga ish-futbollisti i kombëtares.

Hoeness pranoi në fillim të këtij viti mosdeklarimin e një llogarie bankare në një bankë në Zvicër. Shuma e parave në këtë llogari nuk është publikuar as nga presidenti i Bajernit dhe as nga autoritetet gjermane, por mediat vendase flasin për miliona euro të depozituara përgjatë 10 viteve të fundit në bankat e Zyrihut.

Akuzat ndaj Hoeness mbërrijnë në një moment kur skuadra e drejtuar prej tij për pak ditë nis sezonin e ri në mbrojtje të kurorës si kampione e dyfishtë, në Gjermani dhe në Europë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta