
Është hedhur shorti për sezonin 2013-2014 të Serisë A. Java e parë ka shmangur përplasjet mes skuadrave të mëdha, nisjen më të vështirë në kërkim të titullit e ka Juventusi.
Bardhezinjtë luajnë në transfertë javën e parë kundër Sampdoria, më pas presin Lacion në Torino, ndërsa në javën e tretë, shorti u ka rezervuar Interin.
Ky i fundit do ta nisë sezonin e parë nën drejtimin e Mazarit në shtëpinë e tyre ku do presin Xhenoan, ndërsa Milani do të udhëtojë drejt Veronës ku e pret skuadra vendase e rikthyer mes më të mirëve të futbollit italian pas disa sezoneve në kategoritë inferiore.
Derbi më i nxehtë, ai kryeqytetas mes Romës dhe Lacios do të luhet javën e katërt, po ashtu edhe Milan-Napoli. Tre javë më vonë, pikërisht në javën e shtatë, kuqezinjtë do të udhëtojnë në Torino kundër Juventusit, ndërsa derbi i Milanos do të luhet në javën e 17.
Gjatë hedhjes së shortit janë shmangur takimet e skuadrave të mëdha dhe disa prej ndeshjeve derbi nga mesjava.
Sezoni i ri i Serisë A nis më 24 gusht dhe përfundon më 18 maj 2014.
Top Channel