Teto Ollga rikthehet në “Marenë”

27/07/2013 00:00

Teto Ollga, një prej personazheve me të cilat identifikohet Tushemishti
tashmë duket se nuk do t’i ndahet më këtij fshati. Një përmendore e
aktores Violeta Manushi, e ndërtuar pikërisht mbi personazhin e saj tek
filmi “Zonja nga qyteti” dhe “Shoqja nga fshati”, është vendosur në
sheshin qendror të tij.

Punimi mban firmën e të njohurit Vasillaq Kolevica dhe Sadik Spahija ndërsa është iniciuar dhe mbështetur nga komuna Buçimas. Autori Kolevica sakaq ka shprehur mirënjohjen e tij për mundësinë që i është dhënë, që të punonte për realizimin e kësaj përmendoreje.

“Violeta Manushi nuk ishte një luftëtare, stratege, por ishte thjesht një artiste dhe tani ajo u përjetësua në qendër të fshatit”, tha Kolevica.

6 vite pas vdekjes Violeta Manushi është përjetësuar në fshatin ku u realizuan xhirimet e filmave, por në ceremoninë e organizuar me këtë rast nuk kanë munguar as artistet që kanë luajtur në këtë film, të cilat duke kujtuar edhe momentet e punës me Violetën vleresuan figurën e saj.

“Bota këto gjëra i ka më tepër se të zakonshme, i nderon artistët e vet. Ky fshat ka një veçori, sepse është i mbushur me dashuri sepse arti mbi të gjitha dhuron dashuri”, tha aktorja Yllka Mujo.

“Bashkëpunimi në film qe i mrekullueshëm. Ajo nuk pyeti që unë isha një amatore, një vajzë gjimnazi, por më rrinte pranë për të më mësuar, për të më lënë në atë sinqeritet të moshës, me kujdesin e nënës korçare”, tha aktorja Rajmonda Bulku.

Kreu i LSI-së Ilir Meta, i pranishem ne ceremoni ka vleresuar kontributin e Violeta Manushit në kinematografinë shqiptare.

“Përmendorja e aktores së madhe dhe të jashtëzakonshme Violeta Manushi është një vlerë e shtuar për komunitetin tuaj dhe jam i bindur që do të sjellë shumë më tepër vizitorë dhe do të bëhet një nxitje e vazhdueshme për të zhvilluar aktivitete kulturore këtu në Tushemisht”, tha Meta.

Sheshi kryesor i fshatit Tushemisht ka marrë emrin e filmit “Zonja nga qyteti”, ndërsa nga njësia e qeverisjes vendore janë realizuar edhe një sërë punimesh të tjera me qëllim përmirësimin infrestrukturor të këtij fshati, ku vite më parë u realizua pjesa më e madhe e xhirimeve të filmit.

Top Channel