Biznesi tkurr investimet

24/07/2013 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se biznesi vazhdon të tkurr
investimet në ekonomi. Instituti i statistikave raportoi se në muajin
qershor, importi i makinerive dhe pajisjeve, ra me 20 për qind krahasuar
me qershorin e vitit të kaluar.

Shifrat tregojnë se kjo është një nga rëniet më të forta. Ndërsa, në total si gjashtëmujor, bizneset shqiptare kanë importuar këtë vit, rreth 11 për qind më pak makineri dhe pajisje për investime të reja se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ky është viti i pestë me radhë kur investimet private në ekonomi tkurren. Sipas Fondit Monetar ndërkombëtar në vitin 2009, bizneset vendase dhe të huaja, investuan në ekonominë shqiptare 20.2 për qind të prodhimit kombëtar.

Në 2012-ën shifra ra në 19.1 për qind, ndërsa të dhënat paraprake për kredinë dhe importin e makinerive sinjalizojnë se këtë vit ajo mund të cekë një tjetër minimum historik. Në mars të këtij viti, tre muaj para zgjedhjeve Qeveria miratoi një paketë të gjera lehtësirash fiskale.

Përmes një sërë ligjesh të miratuara në seri, Parlamenti përjashtoi nga taksat cdo makineri dhe pajisje, për të nxitur bizneset të rrisin investimet. Por edhe pse i kushtoi buxhetit të shtetit 200 milionë euro, duke thelluar krizën e financave publike, shifrat tregojnë se heqja e taksave të paktën deri tani nuk ka mundur ta frenojë tkurrjen e shpejtë të investimeve.    

Top Channel