INSTAT: Shqiptarët udhëtojnë më pak jashtë

20/07/2013 00:00

Me më pak para në dispozicion për të shkuar për pushime, apo te  të
afërmit, shqiptarët kanë udhëtuar më pak në muajt e parë të këtij viti.

Daljet e shtetasve shqiptarë në tremujorin e parë 2013 janë ulur 3.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kryesisht ndikuar nga daljet nëpërmjet pikave kufitare tokësore, bëjnë të ditur statistikat e INSTAT.

Rënien më të madhe e kanë shënuar daljet nga deti, që kanë rënë me 17 për qind në tremujorin e parë 2013, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga të dhënat mësohet se, shqiptarët kanë prerë dhe më pak bileta avioni, teksa daljet nga ajri kanë rënë me rreth 4 për qind me bazë vjetore në tre muajt e parë të vitit.

Udhëtarët vendas e kanë pasur më të lirë të udhëtojnë me automjetet e tyre nga kufiri tokësor, kryesisht drejt Greqisë, të cilat kanë shënuar rënien më të ulët, me rreth 2 për qind për periudhën në fjalë.

Në të kundërt, hyrjet e vizitorëve në Shqipëri në tremujorin e parë 2013 janë rritur 18.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga toka hyrjet e të huajve zënë 82.3 për qind të ndjekur nga hyrjet nga ajri dhe deti respektivisht me 13.5 dhe 4.2 për qind.

Sakaq, kushtet ekonomike dhe kriza po cenojnë sektorin e turizmit në vend, nga ku raportohen më pak prenotime se vitin e kaluar, të paktën nga vëzhgimet e 15-ditëshit të parë të muajit korrik.

“Sezoni turistik është shumë i dobët në krahasim me vitin e shkuar, është 50 për qind më dobët. Na duket sikur nuk jemi në verë me këtë kërkesë të ulët”, thotë për TCH një punonjës.

Moti këtë vit nuk ka qenë shumë favorit për një nisje të mbarë të sezonit turistik. Por çfarë e ka dëmtuar së tepërmi, Durrësin, Golemin dhe plazhet përreth është përkimi i këtij sezoni pushimesh me muajin e Ramazanit. Tashmë është fakt që frekuentuesit më besnikë të kësaj riviere janë kosovarët, të cilët njihen gjithashtu për besimin e fortë në islam.

“Ndoshta kriza dhe moti i keq ka ndikuar në numrin e ulët të pushuesve. Po ashtu ka ndikuar edhe muaji i Ramazanit, për shkak se pushuesit kosovarë e respektojnë këtë traditë”, thonë përfaqësuesit e bizneseve. Ndërsa bizneset janë gati të shpallin falimentin për këtë vit, frekuentuesit e tjerë të këtij plazhi duket se po e shijojnë këtë situatë. Bregu është më i qetë, uji më i pastër dhe rëra po ashtu më pak e ndotur se në vitet e shkuara. “Është hera e parë që vijmë dhe më pëlqen shumë. Këtu është shumë bukur, shumë pastër”, thotë një pushues.

Top Channel