Malala mbushi 16 vjeç

14/07/2013 00:00

Ilir Yzeiri – Malala Yousafzai u godit me një plumb në kokë nga një sulm taleban kur po udhëtonte me autobusin shkollor për në mësim më 9 tetor 2012 në luginën Swat (veriperëndim të Pakistanit).

Talebanët donin t’i jepnin një mësim shembullor asaj dhe shoqeve të saj që kishin vendosur të shkonin në shkollë dhe jo të qëndronin në shtëpi siç urdhëronin talebanët. Shumë shpejt Malala u bë një simbol dhe hyri në imazhin kolektiv si luftëtarja e guximshme kundër errësirës. Më 12 korrik 2013, ajo mbushi 16 vjeç dhe e festoi ditëlindjen e saj në OKB. Atje mbajti një fjalim që i entuziazmoi të gjithë. “Një fëmijë, një mësues, një libër, një penë mund të ndryshojnë botën”, tha ajo. Natyrisht nuk është qëllimi i këtij shkrimi që të tregojmë me hollësi për Malalën, megjithëse këto ditë ajo ka qenë në faqet e para të të gjitha gazetave të Europës dhe në lajmet e para të TV-ve të tyre gjithashtu. Malala është e plagosur në kokë dhe i shpëtoi vdekjes pse donte shumë dritën, thoshin disa komente. Të tjerë shihnin në portretin e saj Nobelisten e këtij viti për paqen. Shkurt Malala i ka entuziazmuar të gjithë me kurajën dhe dëshirën për shkollë e për arsimim që ka ajo dhe moshataret e saj në një vend ku shtypja dhe dhuna fetare po ia marrin frymën shoqërisë. Mirëpo Malala ka një simbolikë më të gjerë se kaq. Ajo është shembulli i idealizmit përballë një bote që po zhytet gjithnjë e më shumë në konsumizmin global.

***

Shqipëria sapo u nda nga një qeverisje e mbrapshtë që vrau sidomos ëndrrën për një jetë ideale të shëndetshme dhe nxiti në shoqëri agresivitetin korruptiv që mbështetet në kuptimin për jetën si një betejë që të zhvatësh dhe të mundësh kundërshtarin. Qeverisja që shkoi, instaloi në vend modelin e jetës abuzive, ku gjithsecili projektohej si pjesëtar i një fisi që kishte si qëllim të shkatërronte fisin tjetër. Mentaliteti tribal i qeverisjes që shkoi u shfaq sidomos në fushë të arsimit dhe të dijes. Kurrë më parë përmbajtja e shkollës sonë nuk ka qenë më e gjymtuar se tani. Me reformat e nisura nga Pollo, shkolla u godit në ashtin e saj dhe nga cikli fillor e deri në atë të mesëm u injektua një mishmash kurrikulash që nuk kishin asnjë lidhje me formimin e të riut sot. Krimi më i madh u bë me programet dhe tekstet. U shkatërrua struktura e lëndëve dhe programeve duke hequr nga formimi i nxënësve lëndë si filozofia apo letërsia dhe në vend të tyre u futën lëndë si qytetaria e ndonjë marrëzi tjetër që e katandis nxënësin vetëm në një objekt që duhet të njohë rregullat e qarkullimit rrugor. Askush nuk mund të të tregojë se nga është marrë modeli i kurrikulave dhe pastaj edhe modeli i teksteve që përdoren, vetëm se rezultati është katastrofik. Nxënësit masakrohen me tekste pa kuptim që hartohen me ekspertiza të dyshimta dhe arsimi është kthyer në një biznes të fëlliqur.

Ndërsa ajo që ka ndodhur me universitetet në këta vjet është një katrahurë që vështirë se mund të ndreqet për shumë kohë. Universitetet janë kthyer në qendra që rekrutojnë dhe riciklojnë tarafe, miq dhe jashtë çdo kontrolli. Ligji i Arsimit të Lartë që parashikon zgjedhjet si formë të organizmit në këto universitete e ka çuar në absurd pavarësinë e këtyre institucioneve dhe të zgjedhurit aty apo ata që rekrutohen janë jashtë çdo kontrolli. Kam lexuar këto ditë shkrime që rendisin lloj-lloj platformash për arsimin. Natyrisht secili ka të drejtë të japë konsideratat e tij, por është mirë që secili gjithashtu të shohë edhe se çfarë ka bërë në karrierën e tij. Unë mendoj se reforma në arsimin shqiptar mund të niset nga simbolika e Malalas: një mësues, një libër, një penë mjaftojnë për të ndryshuar botën. Në mënyrë që t’u heqim ndotjen korruptive dhe abuzive që u kemi bërë penës, mësuesit dhe librit, qeveria e re duhet të fillojë të zbatojë ligjin. Dhe ligji është i thjeshtë. Programet shkollore duhet të hartohen nga ekspertët më të mirë shqiptarë sipas një ose disa modeleve europiane. Ata pedagogë që nuk kanë përmbushur detyrimet shkencore brenda afateve që parashikon ligji duhet të largohen nga Universiteti dhe t’ia lënë vendin të tjerëve. Ato programe studimi që nuk përballohen dot me personel akademik qoftë në universitetet publike, qoftë në ato private, duhet të mbyllen. Shteti është aksioneri kryesor në arsimin publik dhe ai duhet të tregojë më shumë autoritet duke qenë i pranishëm dhe jo duke u bërë palë me elitat e korruptuara të arsimit e të universiteteve. Malala u godit në kokë nga talebanët pse kërkonte të shkonte në shkollë, ne dërgojmë në shkollë me mijëra vajza e djem, por i shkatërrojmë nga trutë me mediokritetin dhe mizerabilitetin e dijeve që u servirim. Edhe 100 Malala!

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA