Kërkesa e të verbërve për pagesat

11/07/2013 23:10

Kreu i Shoqatës së të Verbërve, Dr. Sinan Tafaj, nga Gjykata e Gjirokastrës, ku ishte i pranishëm për të marrë pjesë në procesin gjyqësor të çelur në rang vendi, mbi kërkesat e të verbërve ndaj organeve të pushtetit vendor, tha se Gjykata e Gjirokastrës ka qenë ndër të paktat gjykata, që po krijojnë vështirësi artificiale në raport me këtë padi.

“Ne shprehim shqetësimin tonë, për faktin se Gjykata e rrethit gjyqësor Gjirokastër nuk ka marrë në konsideratë kërkesën tonë për t’i shqyrtuar si një çështje të bashkuar të gjitha paditë e ngritura ndaj organeve të pushtetit vendor në Gjirokastër, pasi në bazë të nenit 159 të Kodit të Procedurës Civile, kjo çështje duhet gjykuar si e plotë, pasi është i njëjti objekt gjykimi dhe është i njëjti paditës, që është Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë. Kjo gjykatë e ka ndarë në 13 subjekte, 11 komuna dhe 2 bashki, duke na shkaktuar probleme. Gjykata, në mënyrë artificiale, ka krijuar vështirësi, duke na rritur koston financiare, duke na çuar në gjykime të pafundme. 13 seanca të stërzgjatura do të kërkojnë 13 avokatë e 13 ekspertiza financiare dhe do të na çojnë drejt pamundësisë për të kërkuar të drejtën tonë. Qëndrimi i Gjykatës së Gjirokastrës është dashakeq dhe sjelljet e tyre nuk kanë qenë korrekte, duke na nxjerrë nga gjykata në mënyrë jo normale. Ne i kemi kërkuar Presidentit dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë të inspektojë gjykimin formal dhe jo përmbajtësor ndaj kësaj trupe”, tha Sinan Tafaj, kreu i Shoqatës së të Verbërve.

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka ngritur padi kundër institucioneve të pushtetit vendor, për mosshlyerjen rregullisht të detyrimeve, që nga viti 2005 deri në 2010, duke mos indeksuar, sipas pretendimeve të tyre, pagesën për shkak të verbërisë.

Kjo, sipas llogaritjeve të Shoqatës, mendohet se ka shkaktuar një dëm, për çdo qytetar të verbër e kujdestar, në një masë rreth 1 milion lekë të vjetra. Vetëm në rrethin e Gjirokastrës, në 13 njësi vendore, përfitojnë pension verbërie rreth 210 të verbër, të kategorive të ndryshme.

Top Channel