PS: Situatë alarmante financiare

10/07/2013 00:00

Ilir Beqja, bashkëdrejtuesi i grupit të punës për hartimin e programit
qeverisës doli në deklaratë për median nga selia e PS-së, ku si sfond
dominonte ngjyra gri, ku shkruhet “zyra e kryeministrit të zgjedhur”.

Duke e përshkruar situatën financiare në vend si tejet të vështirë, Ilir Beqja deklaroi se “në 5 muajt e parë të vitit nga tatimet dhe doganat janë arkëtuar 150 milionë dollarë më pak se programi i fillimvitit”.

“Vetëm në muajin qershor mosrealizimi ështën shtuar me 50 milionë dollarë të tjerë. Me këto ritme duke pasur parasysh gjendjen ekonomike të vendit ekspertët tanë parashikojnë që mosrealizimi të arrijë në 400 milionë dollarë deri në fund të vitit. Nuk mund të lihet pa përmendur edhe një shifër tjetër e rëndë. Vetëm në 6 muajt e parë të vitit Qeveria në ikje ka ezauruar 90 % të deficitit buxhetor”, tha Beqja.

Zoti Beqja, në emër të maxhorancës së re qeverisëse i parashtroi Ministrisë së Financave në detyrë pesë kërkesa.

“I kërkojmë Ministrisë së Financave si ministri që ka përgjegjësinë jo vetëm morale, por edhe ligjore të kujdestarisë mbi financat e shtetit shqiptar, që deri në betimin e Qeverisë së re të bëjë publike sa më parë treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar për 6 muajt e parë të vitit. Të ushtrojë detyrat ligjore në administrimin e mbledhjes së detyrimeve tatimore dhe doganore.Të ndërpresë çdo negociatë në vijim për kontrata dhe projekte me financues të ndryshëm që rrisin borxhin e jashtëm të Shqipërisë.Të garantojë që në periudhën 12 deri 30 korrik të këtij viti, gjatë të cilës do të bëhet ‘up grate’ i sistemit automatik të thesarit, të garantohen pagesat e ndihmës ekonomike, pagesat e personave me aftësi të kufizuar, pagesat e pensioneve dhe pagesat e rrogave”, tha Beqja.

Top Channel