Ngrijnë shpenzimet e buxhetit

10/07/2013 19:55

Qeveria ka zyrtarizuar ngrirjen e shpenzimeve të buxhetit për një sërë zërash që nisin me bllokimin total të investimeve të reja publike për të mbajtur nën kontroll financat e shtetit.

Sipas një vendimi të miratuar në mbledhjen e radhës, pas datës 15 korrik çdo prokurim me fonde nga buxheti për investime apo shpenzime korrente do të bëhet vetëm me vendim të posaçëm nga Këshilli i Ministrave.

Por investimet nuk janë zëri i vetëm që ngrijnë. Në pikën 2 të vendimit qeveria ka vendosur të ndalë edhe 20 për qind të fondeve që janë parashikuar për shpenzimet operative dhe ato të mirëmbajtjes, të cilat nuk janë kontraktuar deri në datën 15 korrik.

Paralelisht me ngrirjen e këtyre zërave, shkurtime të forta ka edhe për administratën. Tarifat e paguara për shërbimin celular për punonjësit e shtetit që e përfitojnë këtë shërbim do të reduktohen me 30 për qind.

Ndërsa shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit bllokohen thuajse tërësisht, duke lejuar vetëm udhëtimet e rëndësisë së veçantë, për aktivitete që përfshijnë titullarët e institucioneve qendrore, ku pjesëmarrës mund të jenë ata vetë apo të deleguarit e tyre.

Në pikën e fundit, vendimi bllokon tërësisht fondet për trajnimet dhe specializimin e punonjësve të administratës jashtë vendit dhe shkurton me 50 për qind trajnimet e brendshme. Kufizimi i shpenzimeve në mes të vitit buxhetor është shndërruar në një traditë për financat publike, që pas vitit 2009.

Por këtë herë situata është më e rënduar. Vetëm në 5 muajt e parë të vitit qeveria ka konsumuar mbi 80 për qind të huamarrjes së brendshme, çka ngre dyshime të forta për mbajtjen nën kontroll të llogarive publike deri në fund të vitit.

Top Channel