Çmimet e ushqimeve, rritje historike

09/07/2013 23:50

Prej gati një viti, konsumatorët po përballen me një shtrejtim të pandalshëm të artikujve ushqimorë në tregun e brendshëm.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se, si asnjëherë tjetër më parë, inflacioni i ushqimeve, për 11 muaj me radhë, vazhdon të qëndrojë në nivelet më të larta të viteve të fundit.

Sipas “INSTAT”, në qershor, inflacioni total ishte sërish i ulët, 2.3 për qind. Por, brenda kësaj shifre, ushqimet janë shtrenjtuar me një ritëm dy herë më të lartë, më saktësisht 5.4 për qind.

Për shkak të kësaj tendence, aktualisht 92 për qind e shtrenjtimit të kostos së jetesës, krahasuar me një vit më parë, ka ardhur vetëm nga ushqimet.

Rritja e çmimeve për artikujt ushqimorë godet fort shtresat më të pambrojtura. Kjo, pasi familjet e varfra, të cilat jetojnë me ndihmë ekonomike apo dhe paga minimale, shpenzojnë pjesën dërrmuese të buxheteve që kanë, deri në 80 për qind, vetëm për t’u ushqyer.

Për shkak të peshës së madhe, që zënë shpenzimet për ushqime, për këto familje kostoja e jetesës nuk është rritur me 2.3 për qind, sa inflacioni mesatar, por me mbi 4.3 për qind.

Dhe kjo vazhdon prej gati një viti tashmë, duke gërryer një pjesë të mirë të lehtësimeve të fundit nga taksat, por edhe nga rritja e pagës minimale.

Në shumë vende të zhvilluara, agjencitë e statistikave përllogarisin dhe publikojnë më shumë se një tregues për inflacionin, pasi e vetme, shifra e inflacionit të përgjithshëm mund të japë një pamje të deformuar, për shtresa të ndryshme sociale.

Ashtu siç po ndodh aktualisht, në Shqipëri, ku inflacioni total mbetet i ulët 2.3 për qind, por, për shtresat e varfra, kostoja e jetesës është rritur gati dy herë më shumë.

Top Channel