ERE: CEZ të importojë

08/07/2013 00:00

Adriatik Bego, një nga komisionerët e Entit Rregullator të Energjisë e
ka cilësuar si shqetësuese situatën aktuale, ku CEZ nuk po përmbush
detyrimin ligjor të importit për të mbuluar humbjet.

“Eshtë një shqetësim që duhet të marrë zgjidhje nga ana e kompanisë, e cila duhet të marrë masat për mbulimin e plotë të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes”, tha Bego.

Por administratori i përgjithshëm i kompanisë së Shpërndarjes Sahit Dollapi, tha se CEZ nuk ka patur mundësi për import pasi i duhej të shlyente detyrimet e prapambetura ndaj kompanive furnitore.

“Duke qenë se kompania ka patur detyrimet e vjetra kundrejt kompanive, ne kemi zbatuar një skedul dhe një grafik të likujdimit, qoftë të detyrimeve të reja, qoftë të detyrimeve të vjetra dhe besoj që deri në fund të muajit korrik dhe fillimin e muajit gusht, të gjitha detyrimet e vjetra që ka kompania me kompanitë e tjera, me përjashtim të kompanisë ‘CEZ Group s.a’ do të shkojnë në likujdim, që na krijojnë ne mundësinë për rritje të konkurrencës për efekte financiare të uljes së çmimit”, tha Dollapi.

Gjatë një takimi me drejtuesit e Entit, zoti Dollapi ka folur edhe për treguesit e kompanisë, të cilët sipas tij kanë ardhur në përmirësim që nga rikthimi i saj në administrim shtetëror, me përjashtim të qershorit, ku zgjedhjet kanë ulur arkëtimet dhe kanë rritur humbjet.

Sekserët e borxheve të CEZ

Pas publikimit në Top Channel të kontratave milionere mes CEZ dhe kompanive gjahtare të borxhit ka reaguar kryetari i Entit Rregullator të Energjisë.

Sokol Ramadani tha se kontratat ishin të papranueshme duke konfirmuar se ato ishin dhe një nga pikat e heqjes së licensës.

“Në lidhje me problemet që janë përmendur këto ditë, janë debitë apo gjendja e borxhit të keq, ku përmenden kompani të cilat kanë realizuar një gjë të tillë. ERE, në parim, nuk është Ent që merret direkt me problemin e “bad debt collection”.

Top Channel