Egjipti ende pa një kryeministër

07/07/2013 13:50

Presidenti i ri i përkohshëm i Egjiptit përgënjeshtroi të dielën raportimet se reformisti Mohamed Elbaradei është emëruar në postin e kryeministrit.

Në një deklaratë, një dhënës i presidencës tha se ndërsa Elbaradei mbetet një mundësi, presidenti Adly Mansour, i vendosur në pushtet pas një grushti shteti të suksesshëm të ushtrisë, është ende duke udhëhequr një proces këshillimi për përzgjedhjen e emrin më të përshtatshëm.

Elbaradei, një ish kryetar i Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore konsiderohet si një lider liberal dhe i pëlqyer nga perëndimi.

Ndërkohë, situata në Egjipt vazhdon të jetë e destabilizuar, me protestuesit pjesë të Vëllazërisë Muslimane që mbështesin kthimin në pushtet të presidentit të zgjedhur me votë, Mohammed Morsi.

Të premten, përballjet e dhunshme gjatë manifestimeve i kushtuan jetën 30 personave, ndërsa qindra të tjerë u plagosën.

Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet një deklarate, i kërkoi liderave egjiptianë që të ndikojnë për ndërprerjen e menjëhershme të dhunës, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, kërkoi që manifestimet të jenë të mbrojtur me kordonë policorë dhe të shmanget mundësia e përpalsjeve midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të Morsit.

Ndonëse i zgjedhur me votë, islamizimi që u përpoq Morsi t’i bënte vendit me 84 milionë banorë gjatë regjimit të tij një-vjeçar dhe protestat masive kundër tij, në një farë mënyre duket se përligjinin në sytë e Uashingtonit dhe Brukselit nevojën e ndryshimeve politike në Egjipt, edhe pse me një mënyrë jodemokratike siç është grushti i shtetit.

Top Channel