“Miliona për kompanitë e pushtetit”

06/07/2013 00:00

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe ka vijuar denoncimin e
keqmenaxhimit që i është bërë kompanise ‘CEZ Shpërndarje’, në periudhën
kur menaxhohej nga kompania çeke.

Braçe ka bërë publik raportin e hartuar nga vetë Entit Rregullator i Energjisë, sipas të cilit kompani të tjera, te lidhura me pushtetin e Kryeministrit Berisha, kanë përfituar një shumë prej mbi 1 milion e gjysmë eurosh në total për mbledhjen e borxheve të këqija të akumuluara nga kompania.

“Në një raport të mbajtur sekret dhe që ERE e ka në vëmendje, por nuk e ka bërë publik dhe nuk i ka shkuar deri në fund, tregon emrat e kompanive, një pjesë e tyre çeke, pjesa tjetër shqiptare, të cilat kanë marrë nga korriku i vitit 2012, deri në janar të këtij vitim, përqindje që shkojnë nga 23 në 54 per qind te vleres se çdo fature te mbledhur prej tyre”, tha Braçe.
   
Por këto nuk janë kompanitë e vetme të lidhura me Qeverinë shqiptare apo kompaninë çeke, që sipas Braçes, kanë përfituar miliona për shërbimet që i kanë bërë ‘CEZ Shpërndarje’.

“Askush nuk di se me çfare jane marre kompanitë, që kanë marrë miliona nga llogaritë e CEZ shpërndarje për punë të cilat janë vlerësuar shumë shtrenjtë. Konsulenca, marrëdhënie të tjera që kane te bejne me marketingun, blerje te tjera”, thotë Braçe.

Një tjetër shqetësim, sipas deputetit Braçe, është mungesa e transparencës sa i përket bilancit energjetik aktual të vendit.

“Nga raporti del e qarte se per tre muaj, prill, maj, qershor nuk eshte përmbushur kontrata nga CEZ-Shpërndarje per te blere energji, per te mbuluar humbjet ne rrjet te cilat vazhdojne te jene te larta. Per pese muajt e pare te vitit, humbja është 46 per qind. Po t’i referohesh numrave rezulton që humbja e energjisë në rrjet është më e madhe se ajo e shitur per konsumatoret”, tha Braçe.

Për deputetin Braçe përgjegjësia bie mbi Entin Rregullator të Energjisë që duhet të bëjë transparencë mbi bilancin energjetik dhe të zbardhë atë, që ai e quan skemë korruptive, në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

“Financat e kësaj kompanie kanë qenë një nga elementët kyç të vendosjes së çmimeve të shitjes së energjisë elektrike prej kësaj kompanie, përmes vendimmarrjes së ERE-s. Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë fare mirë që gjatë kësaj periudhe nuk kanë paguar vetëm energjinë elektrike të blerë, por brenda saj kanë paguar edhe humbjet, qoftë në rrjet, por edhe humbjet financiare të kompanisë në fjalë”, tha Braçe.

Top Channel