KKT miraton lejen për TAP

04/07/2013 00:00

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen që autorizon konsorciumin
TAP të nisë ndërtimin e gazsjellësit që shndërron Shqipërinë në pikë
kalimi të gazit natyror që vjen nga Azerbajxhani me destinacion Evropën
Perëndimore.

Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit, kryeministri Berisha tha se TAP arriti të fitonte mbi çdo presion politik, ndërsa sot pritet të nisë ndërtimin me një vlerë fillestare prej 40 miliardë dollarësh në total.

“T’ia lemë historisë përpëlitjet dhe presionet e mëdha. Sot ky është projekti më gjigant. Për herë të parë në histori peshku i madh nuk e ha të voglin. TAP fillon me 40 miliardë dollarë investim fillestar”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha tha se projekti që furnizon Shqipërinë me gaz nga një vend mik sic është Azerbajxhani zgjidh përfundimisht problemet energjetike të vendit.

“Projekti ka meritën e madhe për shqiptarët sepse i furnizon ata me gaz nga një vend mik në një miqësi tradicionale me lidhje të hershme. Historianët do ta gjejnë koincidencën se si Kaukasian Albania po sjell gazin në Balcan Albania. Ky projekt lidh dy Shqipëritë, dy Albanitë, atë të Kaukazit dhe atë të përjetshme në Ballkan”, tha Berisha.

Projekti që lidh Shqipërinë me rrjetin e gazit natyror të Koridorit Jugor nis ndërtimin vitin e ardhshëm, përfundon në 2018-n, ndërsa në 2019-n, sipas kryeministrit, Shqipëria merr gazin e parë nga fushat e ‘Shah Deniz 2’.

“Projekti i jep zgjidhje përfundimtare problemeve energjetike të Shqipërisë, sepse burimet e gazit do të furnizojnë si industritë e vendit edhe përdorimin shtëpiak familjar për ngrohje dhe gatim me kosto shumë më të ulët se sa shpenzohet sot me energjinë elektrike”, tha Berisha.

Projekte të tjera të miratuara në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit janë leja zhvillimore për ndërtimin e 11 HEC-eve mbi lumin Curraj në qarkun e Kukësit, plane të përgjishshme vendore për Durrësn, Tiranën, Gjirokastrën dhe Shkodrën dhe një sërë vendimesh të tjera.   

Top Channel