Vendi në krizën e kredive

02/07/2013 15:10

Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në krizën e kredive.  Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se për herë të parë që nga viti 2002, stoku i kredisë për sektorin privat ka filluar të tkurret.

Sipas Bankës, në maj, kredia totale për biznesin ishte 370.8 miliardë lekë nga 373.2 miliardë që ishte në majin e vitit 2012. Kjo do të thotë se përgjatë harkut kohor të një viti kredia e re që ndërmarrjet private kanë marrë në banka, ka qenë më e ulët se sa shlyerjet e kredive ekzistuese.

Që pas vitit 2009, ritmet e rritjes së kredisë janë ulur me ritme të shpejta. Por, deri më tani, asnjëherë rritja e saj nuk ka rënë nën zero, ashtu siç ndodhi muajin e kaluar.

Biznesi është në fazë tkurrje të aktivitetit dhe ka ulur investime e reja të financuara me borxh. Vitin e kaluar, ngadalësimi i fortë i kredisë ishte shkaku kryesor që e përgjysmoi rritjen ekonomike nga 3 në 1.6 për qind.

Gjasat janë që këtë vit, me hyrjen e e saj në zonë negative, pasojat të jenë edhe më të forta. Sipas studimeve të Bankës Qëndrore, vitet e fundit zgjerimi i kredisë ka përshpejtuar mesatarisht me 1.5 deri në 2 pikë përqindje në vit rritjen e Prodhimit Kombëtar.

Tashmë ky efekt ka gjasa të kthehet në negativ, duke zbehur shpresat për një rigjallërim të shpejtë të ekonomisë, kur vetë Banka e Shqipërisë së fundmi e ka pranuar se kriza e huave mund të vazhdojë edhe në periudhë afatmesme.

Top Channel