Rama: Nisim një kapitull të ri

01/07/2013 00:00

PS festoi 22-vjetorin e themelimit të saj, shumë ndryshe nga festimet e mëparshme, pasi pjesë ishte edhe fitorja në zgjedhjet e 23 qershorit.

“Si një festë aspak të zakonshme, pasi 1 milion shqiptarë sot i gëzohen fitores dhe ku të gjithë, pas shumë vitesh të trazuara për vendin dhe të majtën, festojmë të bashkuar”, tha në fillim të fjalës përshëndetëse kreu i PS, njëherazi kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama.

Ai falënderoi të gjithë votuesit, emigrantët dhe aleatët, që dhanë kontributin e tyre në atë, që ai e quajti një fitore plebishitare të koalicionit të majtë.

“Ju që jeni të pranishëm dhe 1 milion votuesve iu uroj gëzuar 22-vjetorin e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Falemnderit skuadrave të Rilindjes në çdo qark dhe aleatëve tanë. Pas viteve të trazuara, sot festojmë një fitore plebishitare që e arritëm të bashkuar. Të bashkuar do ta festojmë edhe ditën e Rilindjes. Lejomëni të falënderoj sonte, në mënyrë të veçantë aleatët tanë strategjik të LSI-së dhe personalisht Ilir Metën, për gjithçka bëri nga ana e tij, që interesi i madh i familjes së madhe të socialistëve e progresistëve shqiptarë, interesi i vet Shqipërisë të fitonte mbi ndasitë dhe konfliktet e së shkuarës mes nesh. PS dhe LSI janë dy parti, që si një fuqi e vetme mund të bëjnë historinë në këtë vend”, ka deklaruar Rama.

Edi Rama i dedikoi një falënderim të posaçëm dy njerëzve, për të cilët ai tha se do të dëshironte të ishin pjesë e kësaj feste.

“Nuk rri dot pa e thënë, se do të kisha dashur shumë, që sot të mos mungonin mes të ftuarve në këtë gëzim legjitim dy shqiptarë të mirë: Dritan Hoxha, njëriu që ndërtoi për këtë popull një një institucion të pavarur, në mbrojtje të lirisë së të gjithëve, dhe Ardian Klosi, njeriu që u shkri si qiriri mes nesh, në mbrojtje të flakës së lirisë së brendshme qytetare të një individi të vetëm. Është detyrim zemre, një falënderim dhe duartrokitje krejt e posaçme për ata sot”, tha Rama.

Nga kjo ceremoni festive, Rama dha këtë mesazh për qeverisjen e ardhshme.

“Ky që kemi marrë është një mandat sa i fortë numerikisht në sallën e kuvendit, aq i brishtë politikisht përballë pritshmërisë së jashtëzakonshme të njerëzve. Njerëzit na kanë dhënë një fuqi të madhe për të qeverisur, por edhe na kanë ekspozuar përballë një rreziku, që asnjë cast nuk duhet ta harrojmë se e kemi aty, pranë në cdo hap. Nëse ne do të harronim se kjo fuqi na është dhënë për vendin dhe jo për veten, atëherë dëmi që do i bënim Shqipërisë do të ishte shumë i rëndë”, shtoi Rama.

Kreu i PS ka theksuar se qeveria e re do të angazhohet tërësisht në shërbim të shqiptarëve, pa bërë dallime partiake.

“Detyra jonë, si të zgjedhurit e tyre, është të përkushtohemi tërësisht për ta. Nëse ne do të harronim, që kjo votë është për vendin dhe jo për veten, dëmi do të ishte shumë i madh. Po ashtu, një zhgënjim i hidhur do të ishte për njerëzit që na kanë votuar, por edhe ata që s’na kanë votuar. Shqipërinë mund ta rilindim vetëm të gjithë bashkë. Prandaj ftojmë çdo shqiptar, që të bashkohet me ne për ta rilindur këtë vend. Të ecim më shpejt në rrugën e rilindjes dhe integrimit. Gëzuar ditëlindjen e PS”.

***

Më tej Rama ka bërë një përmbledhje të betejave të PS në opozitë për të ardhur në pozitë, duke përmendur një sërë ngjarjesh, disa prej të cilave edhe të hidhura.

“Unë si kryetar dhe ne si PS vendosëm një sërë objektivash për rikthimin në qeveri me një vizion të ri, program të ri dhe politikë të re. Patëm beteja jo të lehta. U vodhëm në zgjedhje, u baltosëm, bëmë protesta të panumërta dhe grevë urie. Humbëm katër jetë të pafajshme njerëzish, që shpresoj se sot janë më të qetë dhe të cilëve u premtoj se nuk do të jem i qetë derisa të bëj drejtësi për vdekjen e tyre. Por më në fund ia dolëm në mënyrën më të bukur. I kemi dhënë vetes me fitoren e 23 qershorit të drejtën për t’i dhënë fund jetës opozitare të PS”, ka thënë Rama.

Ftesa për këtë eveniment i ishin dërguar edhe kryeministrit në detyrë Sali Berisha, por edhe ish-liderit historik të socialistëve, Fatos Nano.

Top Channel