Produktet vendase ulin çmimet

01/07/2013 15:35

Prodhimet vendase të stinës kanë mbushur tregjet duke frenuar importin e shumicës së produkteve që gjatë vitit tregtarët i sigurojnë nga jashtë.

Sipas tyre, në këtë periudhë të vitit, 90 për qind e asaj çka tregtojnë është e prodhuar nga fermerët shqiptarë dhe kjo ka sjellë ulje të çmimeve për këto produkte.

“Çmimet janë ulur. Domatja për shembull është ulur me 50 për qind”, tregon një tregtar. Por pavarësisht kësaj, tregtarët thonë se ulja e çmimeve nuk ka rritur kërkesën në treg. Përkundrazi, ata vërejnë ulje të fuqisë blerëse krahasuar me dy muaj më parë.

“Konsumi ka rënë, rreth 20 për qind. Nuk është si më parë”, vijon tregtari. “Tani s’ka njerëz që vijnë të blejnë, jo dhe aq”, thotë një tregtare tjetër.

Në tremujorin e parë të vitit, Banka e Shqipërisë vlerësoi se qytetarët kanë vijuar të pakësojnë shpenzimet për konsum duke sinjalizuar thellim të krizës, tendencë kjo që me sa duket ka vijuar edhe gjatë këtyre muajve.

Tkurrja e të ardhurave të disponueshme, por edhe pasiguria e lartë për shkak të krizës, e kanë ndryshuar sjelljen e konsumatorëve në treg, që duken më të prirur drejt kursimeve. 

Top Channel