Gazifikimi i Shqipërisë

29/06/2013 00:00

Qeveria shqiptare duket se e ka përzgjedhur paraprakisht kompaninë që do
të ndërtojë rrjetin e shpërndarjes së gazit në Shqipëri, pas ndërtimit
të gazsjellësit transadritik.

Zëvendëspresidenti i kompanisë shtetërore të gazit në Azerbajxhan, Elshad Nasirov ka zbuluar për mediat se ekziston një marrëveshje mes kësaj kompanie dhe Qeverisë shqiptare për gazifikimin e Shqipërisë.

“Ka një marrëveshje paraprake mes kompanisë tonë dhe qeverisë shqiptare, sipas të cilës në rast përzgjedhje projektit transadriatik, ne do të punojmë për ndërtimin e  rrjetit shpërndarës të gazit në Shqipëri,” ka deklaruar Nasirov.

Po kështu numri dy i gjigantit shtetëror të energjisë në Azerbajxhan është shprehur se veç ndërtimit të rrjetit të shpërndarjes kjo kompani do të ketë edhe të drejtën e përdorimit të depozitave natyrore të gazit në vendin tonë.

Aktualisht Shqipëria nuk përdor gaz natyror dhe nuk ka një rrjet shpërndarës, ndaj ai do të ndërtohet prej fillimit. Nasirov ka bërë të ditur se ka dhe kompani të tjera ndërkombëtare që janë të interesuara për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri.

Por në këtë pikë duket se azerbajxhanasit janë pretendenti kryesor, edhe për një arsye tjetër. Kjo kompani është një nga tre aksionerët e fushës së ‘Shah Denizit’, vendburimi që do të furnizojë gazsjellësin transadriatik. Mbështetja e saj për projektin TAP ka qenë përcvaktues për aprovimin e tij, ndaj favorizimi i saj në ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes duket pjesë e një kompromisi të ngjizur kohë më parë, atëherë kur Tirana zyrtare lobonte për suksesin e gazsjellësit transadritik.

Top Channel