Ashtu siç ishte paralajmëruar konsorciumi i ‘Shah Denizit’ ka
zyrtarizuar vendimin për përzgjedhjen e Gazsjellësit Transadriatik si
korridorin jugor të gazit në Europë.

Gjatë një konference për shtyp në orët e paradites, aksionerët e fushës gazmbajtëse e kanë shpallur vendimin para mediave ndërkombëtare në Baku. Menjëherë pas zyrtarizimit, drejtori i përgjithshëm i TAP, Kjetil Tungland e ka cilësuar vendimin si historik.  

“Përzgjedhja e projektit tonë nga aksionerët e ‘Shah Deniz’ konfirmon se Gazsjellësi Transadriatik ishte varianti më i avancuar ekonomikisht dhe tenknikisht për transportimin e gazit kaspik në Europë. Mbështetja e vazhdueshme që kemi marrë nga Komisioni Europian, por edhe qeveritë kombëtare të vendeve të përfshira në projekt, dëshmon rëndësinë e madhe të TAP në axhendën energjetike të Europës” ka deklaruar Tungland.

Gazsjellësi, 870 kilometër i gjatë zë fill në kufirin greko-turk dhe pasi përshkon mespërmes Greqinë dhe Shqipërinë përfundon në Italinë jugore. Gjurma e përzgjedhur e gazsjellësit do të mundësojë furnizimin me gaz të disa vendeve në Europën juglindore përfshirë Shqipërinë, Bullgarinë, Bosnjën dhe Kroacinë.

Aksionerët e gazsjellësit janë kompania zviceriane ‘AXPO’, gjigandi norvegjez ‘Shtatoil’ dhe ‘Eon Rurgas’ e Gjermanisë. Por numri i aksionerëve pritet të rritet gjatë muajve në vazhdim, pasi në projekt mund të bashkohet ‘British Petroleum’, kompania shtetërore e gazit në Azerbajxhan dhe gjigandi francez i naftës ‘Total’.

Përfshirja në projekt e kompanive më të mëdha energjetike të botës cilësohet nga analistët si garancia më e mirë për financimin e shpejtë të kësaj vepre energjetike, e cila është parashikuar që në 1 janar të vitit 2019 të vihet në punë.   

Top Channel