Kërkesë gjykatës për të votuar

22/06/2013 00:00

Emri i 19-vjeçarit Donald Meziri, i arrestuar para pak ditëve për plagosje, ndodhet në listën e 34 të paraburgosurve, të cilët i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës për të fituar të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

Duke qenë se arrestimi i të dyshuarve ka ndodhur ditët e fundit, sipas kodit zgjedhor ata  kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës për të siguruar një vendim për të votuar në qendrën e posacme brenda burgut.

Me urdhër të kryegjyqtarit të Gjykatës Tiranë të gjithë gjyqtarët kanë kaluar në gatishmëri dhe do të jenë në detyrë edhe të shtunën e të dielën, në mënyrë që të shqyrtojnë fluksin e kërkesave të qytetarëve.

“Qytetarët kanë të drejtë të sjellin një kërkesë të tillë deri këtë të premte, në orën 24, ndërsa ne të japim vendime të tilla deri gjashtë orë, para se të mbyllen votimet”, tha Manjola Bejleri, gjyqtare.

Por, nëse do t’i referoheshim edhe përvojave të mëparshme, më së shumti, qytetarët i drejtohen gjykatës kur evidentojnë mungesën e emrit në lista në momentet e fundit, cka sjell edhe fluks kërkesash.

Por, ka edhe raste si ai 60-vjecares Xhumaje Latifi, e cila në kulmin e lëvizjeve demografike ka lënë Përmetin për të jetuar në Tiranë, por nuk e ka ndryshuar vendbanimin në dokumente.

Të moshuarës iu refuzua kërkesa për të fituar leje votimi, pasi ajo duhet të votojë atje ku rezulton të ketë emrin në listë, pra në vendlindje.

“Unë erdha njëherë, sepse nuk doja ta humbja votën, por në Përmet nuk iki për të votuar, pasi nuk kam kohë”, u shpreh Xhumaje Latifi.

Top Channel