“Liria e medias, vlerë e BE-së”

17/06/2013 00:00

Komisioni Europian organizon në Bruksel të enjten më 20 qershor, konferencën e dytë “Shprehu me zë të lartë!» (Speak Up !), për të vlerësuar sfidat me të cilat përballen mediat në Turqi dhe në rajonin e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, një rast ky për Komisionerin e Zgjerimit për të përsëritur se liria e medias është një prej vlerave më të rëndësishme të BE-së.

“Liria e shprehjes dhe e medias është një prej vlerave më të rëndësishme të Bashkimit Europian. Është prioritet kyç, që adresohet që në hapat e parë të procesit të anëtarësimit dhe pjesë përbërëse e kapitujve që merren me gjyqësorin dhe të drejtat themelore. Konferenca e parë në vitin 2011 i dha një nxitje të fortë adresimit të kësaj çështjeje nëpërmjet procesit të zgjerimit dhe konkluzionet e saj janë kthyer në një pikë të fortë referimi. Tashmë, dy vjet më vonë do të vlerësojmë përparimet e arritura, dhe më e rëndësishmja, se çfarë mbetet ende për t’u bërë”, deklaroi komisioneri Fule.

Sipas Komisionit Europian, garantimi i lirisë së shprehjes dhe të medias është një prej sfidave më të rëndësishme të vendeve që kërkojnë t’i afrohen BE-së dhe zhvillimet në këtë fushë vëzhgohen dhe përfshihen në raportet e rregullta vjetore të progresit për çdo vend.

“Ne nuk mund ta theksojmë kurrë aq sa duhet rëndësinë e lirisë së medias. Së pari sepse media e lirë nënkupton debatin kritik dhe gjithpërfshirjen e opinioneve të shoqërisë. Së dyti sepse nënkupton kontrollin publik të autoriteteve. Dhe së treti sepse nënkupton ndjekjen e duhur të keqbërjes dhe korrupsionit. Dhe pa debat kritik, pa mbikqyrje dhe pa ndjekjen e duhur të problemeve, demokracia nuk mund të funksionojë siç duhet dhe çdo vend që kërkon të integrohet në BE duhet të zbatojë këto parime thelbësore demokratike, në mënyrë të pakthyeshme”, tha më tej Fule.

Në konferencën e të enjtes pritet të marrin pjesë qindra gazetarë dhe përfaqësues të medias nga vendet e Ballkanit dhe të Turqisë dhe ndër të tjerë, ish-Presidenti i Parlamentit Europian Jerzy Buzek, presidenca irlandeze, përfaqësuesja për lirinë e mediave në OSBE, Dunja Mijatoviç si dhe Komisioneri Stefan Fule.

Përgatiti: Ernest Bunguri

Top Channel