Zbehen shpresat për ekonominë

13/06/2013 19:50

Banka Botërore parashikon se rritja ekonomike në Shqipëri do të jetë e dobët edhe në tre vitet e ardhshme, duke shuar shpresat për një rigjallërim të shpejtë të ekonomisë.

Në raportin e fundit mbi parashikimin global, banka vlerëson se për vitin 2013, prodhimi kombëtar në Shqipëri do të rritet me 1.8 për qind.

Ekspertët e Bankës kanë parashikuar se rritja ekonomike do të jetë në këto nivele edhe për vitin e ardhshëm, më saktë në 2 për qind, ndërsa për 2015 pritet një përmirësim i lehtë me 3 për qind.

Prej 5 vitesh, ekonomia shqiptare ka hyrë në një fazë të ngadaltë, me norma minimale të rritjes së prodhimit.

Vlerësimet e fundit që vijnë nga institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, por edhe Fondi Monetar parlajmërojnë se kjo situatë mund të zgjasë edhe për disa vite të tjerë.

Por, përtej ngadalësimit tashmë disa vjeçar, ekspertët si FMN ashtu dhe Banka Botërore, së fundmi kanë ndryshuar dhe vlerësimet afatgjata për ekonominë shqiptare, që kanë të bëjnë me potencialin e saj. Përpara krizës, rritja potenciale e ekonomisë shqiptare, që është shifra mesatare në afatgjatë ishte 6 për qind.

Tani, si FMN ashtu dhe Banka Botërore, e kanë ulur potencialin e ekonomisë nën 4 për qind, që do të thotë se edhe pasi kriza të ketë kaluar, epoka e artë e rritjes së shpejt ekonomike në Shqipëri tashmë i përket së kaluarës.

Top Channel