“Musketierët” e skenografisë

11/06/2013 18:00

Ata janë miq prej 12 vitesh, e po prej kaq kohësh jetojnë me ëndrra të përbashkëta për punën e tyre.

Rediani, Lirimi dhe Heraldi janë diplomuar për skenografi në Universitetin e arteve dhe të tre së bashku realizojnë aspektet skenike në evente të ndryshme.

Ata funksionojnë si një treshe e pandarë, megjithëse nuk kanë një kompani të tyren. Rediani tregon se si iu lindi ideja për të punuar se bashku.

“Erdhi si nevojë për njëri-tjetrin për të bashkëpunuar, duke qenë se akademia nuk siguronte shumë shfaqje e planet ishin të vakëta, ndërsa duke bashkëpunuar rritëm eksperiencën dhe mundësinë e gjetjes së vendeve të punës”, shprehet i pari Rediani.

Ata preferojnë t’i thërrasin me pseudonimin “Çunat”. Po në një grup jo çdo gjë mund të shkojë mirë, e ma sa duket kundër rrymës më së shumti del Heraldi.

“Të dy i dua shumë, por atë që e kam 24 orë gricje është Heralrdi. Gjithmonë kundërshtohemi dhe zihemi për  idetë tona, ndërsa në darkë shkojmë të pimë. Megjithatë, ku ka debat ka gjithmonë edhe zgjidhje”, thekson Redi.

“Ngulim këmbë mbi idenë, si mund ta bëjmë që të nxjerrim gjënë më të mirë në ekran”, pranon Heraldi.

I pari prej grupit që filloi të punonte ishte Lirimi. Ai nisi të realizonte dekore për dasma pranë një agjencie që mbulonte këto evente.

“Ishte një punë që nuk e kisha idenë, thjesht çfarë kisha mësuar nga shkolla edhe pse s’kishte shumë lidhje. Kishte të bënte diçka arredimi e dekorimi, por kishim një lëndë bazë në shkollë që fliste për dekorimin etj”, kujton Lirimi.

Si pjesë e spektakleve të ndryshëm në “Top-Channel”, tre “musketierët” kanë realizuar projekte të ndryshme për të cilat mendojnë që janë më të mirat në punën e tyre.

Por, Heraldi veçon edhe një projekt të realizuar për Digitalb. “Kemi bërë shumë punë, por ndër më të mirat që kemi arritur të bëjmë është për “Digitabl”, një serial për fëmijë “Çufo dhe Bubi Kaçurrel””.

Tashmë kanë një CV të pasur për projektet e suksesshme, por ata nuk lënë pa kujtuar edhe ato më të vështirat. Një pemë Krishtlindjesh në qendër të Tiranës duket se ia ka munduar jo pak të rinjt e skenave.

“Aty patëm probleme se kishte ç’orientim në punë, mungonte organizimi dhe me punëtorët nuk merreshim vesh”, kujtojnë djemtë.

Aspekti kryesor që i ka mbajtur bashkë gjithë këto vite tre të rinjtë është dëshira për të punuar.

Top Channel