Tkurren bizneset e mëdha

10/06/2013 00:00

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Finanacave tregojnë se kriza ka ulur numrin e bizneseve të mëdha aktive që kontribuojnë në buxhetin e shtetit.

Sipas një raporti zyrtar të Financave, në tremujorin e parë të vitit numri i kompanive që paguan tatimin mbi fitimin ra me 5 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Ky është viti i dytë me radhë që tatimet përballen me tkurrjen e numrit të bizneseve të mëdha, ndonëse në 2012 rënia ishte më e ulët. Sipas ligjit, detyrimin për të paguar tatimin mbi fitimin e kanë të gjitha kompanitë që realizojnë një xhiro mbi 8 milionë lekë në vit.

Tkurrja e kësaj kategorie të biznesit, që është dhe ajo më e rëndësishmja për buxhetin por edhe punësimin, lidhet me gjendjen e vështirë të ekonomisë.

Kriza ka detyruar një pjesë të ndërmarrjeve që të ndalin aktivitetin, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, atë prodhues dhe në tregti. Në ndërtim, shifrat tregojnë se numri i bizneseve fitimprurëse është ulur me mbi 15 për qind në harkun kohor të dy viteve.

Një pjesë e tyre janë mbyllur, ndërsa të tjerat edhe pse mund të jenë aktive kanë regjistruar rezultate negative financiare duke dalë me humbje.

Sektori i vetëm që ka shënuar rritje të bizneseve që paguajnë tatimin mbi fitimin është ai i shërbimeve, ku vitet e fundit janë dyndur një sërë ndërmarrjesh të huaja, që shfrytëzojnë krahun e lirë të punës në Shqipëri.

Top Channel