Samanta: Ende nuk e besoj dot që kam fituar

10/06/2013 17:35

Samanta Karavella u kurorëzua këtë të shtunë si fituesja e edicionit të dhjetë të festivalit të “Top-Fest”, festivalit të përvitshëm të organizuar nga “Top-Channel”.

Balada e saj “Loti i Fundit” rezultoi si “hiti” më i preferuar nga publiku dhe më pak se 48 orë pas asaj mbrëmje që ndryshoi përgjithmonë jetën e Karavellës, ajo ndau me publikun e “Pasdite” në “TCH” emocionet e veçanta të atij kurorëzimi.

“Jam shumë e lumtur për vlerësimin, shumë e lumtur për atë çmim dhe në momentin që fitova isha aq e emocionuar sa që nuk mund të shqiptoja dot asnjë fjalë. Nuk e prisja atë sukses. Pata gjithashtu edhe shumë telefonata, të gjitha të nesërmen, pasi në atë çast nuk mund të flisja nga emocionet. Të gjitha këto e bënë edhe më të bukur fitoren”, deklaroi Samanta.

Për këngëtaren, kjo nuk ishte hera e parë që konkurronte në “Top-Fest”. “Kam konkurruar edhe katër herë të tjera më përpara dhe asnjëherë nuk kisha arritur në finale, ndonëse thjesht pjesëmarrja kishte mjaftuar për të promovuar shumë këngët e mia. Këtë herë, mendova që të bëja diçka më goditëse dhe publiku më vlerësoi pa masë për këtë këngë. Nga ana ime, e dija që baladat do të vlerësoheshin më shumë, duke qenë se njerëzit në to gjejnë veten”, tregoi fituesja e edicionit të dhjetë.

Ndërsa i dedikoi një falenderim të veçantë Olti Currit, që shkroi tekstin e këngës, Karavella u tregua e sinqertë kur pranoi se “Ka pasur emra dhe këngëtarë shumë të mirë, këngë shumë të bukura e ndaj nuk e mendoja veten si një fituese. Konkurrenca ishte e madhe, kjo është diçka e mirë për këtë spektakël dhe unë përgjithësisht kam pëlqyer të gjithë këngët pjesëmarrëse në natën finale, prandaj edhe spektakli ishte kaq i veçantë, pasi në të u gërshetuan rryma të ndryshme. Megjithatë, nuk e kisha menduar që do të arrija të fitoja. Mendova se do të isha në finale, këtë po, por ky sukses ishte kaq i paimagjinuar dhe i veçantë”, shtoi Samanta.

E kurorëzuar nga Elhaida Dani, fituesja e edicionit të nëntë të “Top-Fest”, përpara se të mrekullonte me zërin e saj të gjithë Italinë në “The Voice of Italy”, Samanta do të ndjekë një rrugë të ndryshme drejt suksesit.

“Sigurisht që jam këtu dhe do të vazhdoj të jem këtu në Shqipëri, por nuk i dihet asnjëherë fatit dhe çfarë mund të ndodhë. Në planet afatshkurtra po pres tani dy produksione të reja, këngë përgjithësisht verore. Kam realizuar një këngë solo e do të kem edhe bashkëpunime në vazhdim. Ky ka qenë një vit më intensiv për mua se të tjerët dhe jam e kënaqur për këtë”, zbuloi planet e saj për të ardhmen, Samanta Karavella, fituesja e edicionit të dhjetë të “Top-Fest”.

Top Channel