Fushatë dhe futboll

08/06/2013 00:00

Politikë dhe sport. E ku ka më mirë se një ndeshje futbolli, aq më tepër e kombëtares në mes të fushatës. Krahas organizimeve spontane të vetë tifozëve nëpër bare, këtë radhë ishin edhe politikanët që iu bashkuan traditës.

Shumë prej tyre organizuan takime të mëdha ne qytetet ku ishin angzhuar për fushatë, për të ndjekur me mbështetësit ndeshjen e kombëtares.

Në Elbasan, deputeti Ben Blushi pa Shqipërinë dhe shijoi golin e Ramës, në një nga sheshet e qendrës së qytetit së bashku me disa dhjetëra simpatizantë e qytetarë.

Ndërsa në Fier, ministri Sokol Olldashi këndoi himnin dhe brohoriti për përfaqësuesen me mbështetësit e Partisë Demokratike në sheshin qendror të qytetit.

Ilir Meta ndaloi për disa orë fushatën dhe në mbrëmje preferoi ta ndiqte kombëtaren në një nga lokalet e Korçës me kandidatët e listës së LSI për qarkun dhe simpatizantët korçarë të partisë së tij.

Në Tiranë, Fatmir Xhafa i ndoqi në dy sheshe ku socialistët kishin organizuar shikimin e ndeshjes. Deputeti socialist, një pjesë e ndau me banorët në dy njësitë bashkiake të kryeqytetit, në të cilat ai ishte angazhuar në fushatë.

Në Shkodër, deputetët që kryesojnë listen e PD, Jozefina Topalli dhe Helidon Bushati ishin spektatorë dhe mbështetës të kombëtares në një organizim të bashkisë, në rrugën pedonale të qendrës së qytetit.

Vërshëllima e fundit e arbitrit uli siparin e futbollit për politikën dhe ndoshta për shumicën e shqiptarëve. Nga e premtja në mesnatë, politikanët iu kthyen një tjetër ndeshjeje, asaj të zgjedhjeve dhe simpatizantët një tjetër tifozllëku, atij të posterave e flamujve elektoralë.

Top Channel