Cocciante dhe Elhaida në Tiranë

07/06/2013 00:00

Pas ftesës zyrtare të MTKRS dhe kujdesit të kryeministrit Berisha, kantautori Riccardo Cocciante dhe fituesja e “The Voice of Italy”, Elhaida Dani, mbërritën në Tiranë ditën e premte.

Ata u pritën nga ministri Zhiti, pranë ambienteve të Ministrisë dhe nga admirues. Cocciante tha se ndihej i prekur nga vlerësimi i shqiptarëve, duke kthyer vëmendjen te suksesi i Elhaidës.

“Kur dëgjova Elhaidën, pashë tek ajo një talent. Një talent të vërtetë, që ka mundësitë për të tejkaluar kufijtë. Kufiri më i vështirë për t’u kaluar ishte ai në Itali. Ajo është shqiptare, e dinin të gjithë, por kjo mund të ishte një pengesë për të fituar. Kam besuar gjithmonë se, përpos faktit nga ç’vend vjen, talenti shkon përtej kësaj dhe bashkë e treguam. Treguam se, përpos gjithçkaje, populli italian hapi zemrën dhe zgjodhi një person, që nuk është i popullit të tij. Tashmë Elhaida është adoptuar nga italianët”, tha Riccardo Cocciante, kantautor.

Një falënderim për shqiptarët edhe nga Elhaida.

“Dua t’iu falënderoj shumë për mbështetjen që më keni dhënë, nga dita e parë e deri më sot. Jam shumë e mallëngjyer edhe unë, seriozisht, nuk e prisja këtë mbështetje nga ju. E dija që, sigurisht, Shqipëria do të lumturohej dhe do ndihej krenare, por asnjëherë deri në këtë masë. Dua t’iu falënderoj nga zemra, gjë që e kam bërë deri më sot. Unë do ndihesha fituese, edhe nëse nuk do ta fitoja atë emision, ndaj dhe dua t’iu falënderoj shumë”, u shpreh Elhaida Dani, fituese e “The Voice of Italy”.

Në fund, një homazh ‘live’ nga Cocciante, me këngën “Margherita”.

Top Channel